Sot 28 vjet, Prekazi filloi “bombardimin” e Beogradit. Një familje e rrëzoi Sllobodan Millosheviqin.
Operacioni i falangave të tij, që kishte projektuar ta shuante “bërthamën” e kryengritjes, mori përgjigjen e paparë të qëndresës heroike, duke u kthyer në një valë goditëse me bombat e drejtësisë.
Epopeja e Komandantit Legjendar, Adem Jashari e mobilizoi idenë e lirisë në Kosovë dhe i tregoi botës se vdekja është më fisnike se sa nënshtrimi, poshtërimi e dhunimi.
Ajo i dha Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës flamurin prijës të triumfit, pa hakmarrje në civilë, pa sulme mbi trashëgiminë dhe pa ngjyrosje fetare.
Me atë flamur, UÇK-ja siguroi vëmendjen e botës dhe reagimin e pashmangshëm të NATO-s. Fuqitë ndërkombëtare të lirisë dhe demokracisë, s’mund të lejonin edhe një herë dështimin përballë gjenocidit të dytë, pas Srebrenicës.
Ndonëse sot, në një gjykatë të padrejtë dhe një proces absurd ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë, janë ngritur dyshime edhe për vendimin e NATO-s, s’ka njeri në botë që nuk e di se ai ishte përgjigje ndaj “spastrimit etnik” në Kosovë.
Pra, forca e bashkuar aleate është simbolikisht “hiri” i Jasharëve që e mundi Millosheviqin në qelitë e Hagës, ndonëse Serbia ende e mban frymën e tij.
Duke sforcuar marrëzinë mitologjike për Kosovën “e tyre të shenjtë” dhe serbët si “popull hyjnor”, është rreshtuar me boshtin autoritar dhe kalkulon rikthimin e sundimit përmes dhunës e shtypjes.
Kamuflohet në partneritetin europian dhe akuzon SHBA-në për “padrejtësi” ndaj Iranit, duke e krahasuar me bombardimet e NATO-s në vitin 1999.
Nostalgjinë për Millosheviqin e artikulon me dhimbjen ndaj një regjimi tjetër shtypës, jo për shkak të “sovranitetit”, por si pasqyrim të vetvetes dhe si burim energjie për boshtin kërcënues ndaj rendit liberal.
Me logjikë të njëjtë autoritare dhe me fushata perfide dezinformimi e sulme terroriste ndaj Kosovës, ajo mbetet zgjatim i Rusisë, i veshur me kostumin e “kandidatit” për Bashkim Europian.
Si e tillë, ajo nuk është kërcënim vetëm për Kosovën E Ballkanin, por edhe për SHBA-në, BE-në, vlerat dhe interesat euro-atlantike.
Kjo çarje në rreshtimin e sotëm gjeopolitik është infuzion për fantazmat e “Botës Serbe”, ndonëse “Bota Serbe” është ideja e varrosur para 28 vjetësh në Prekaz.
Epopeja e UÇK-së e ka mbyllur historinë e sundimit mbi Kosovën, ndërkohë që Serbia ende nuk e ka mbyllur kapitullin e luftës.
Viktimizimi i saj me fushata për “spastrim etnik” e “diskriminim administrativ”, instrumentalizimi i qytetarëve serbë kundër Kosovës dhe rreshtimi strategjik me Rusinë, e rishfaqin atë si kërcënim më të sofistikuar ndaj sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan.
Prandaj, nderimi dhe përkujtimi i lavdisë së Jasharëve sot nuk është thjesht detyrë, por mesazh për domosdoshmërinë e përkushtimit dhe unitetit. Epopeja e UÇK-së na kujton se paqja nuk është një gjendje e garantuar dhe se LIRIA duhet të mbrohet çdo ditë.
