Dalin para gjykatës 7 personat e arrestuar për korrupsion

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë pritet që të marrë vendim lidhur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtatë të arrestuarve në dyshimet për keqpërdorime me ri-kompensimet për prona. Sipas Prokurorisë të arrestuarit funksionuan si rrjet i mirë-organizuar, brenda dhe jashtë institucioneve, duke përfituar përqindje nga rikompensimet e jashtëligjshme

Pasditen e së shtunës është mbajtur seanca për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimin ndaj ish-ministrit Fadil Ismajli, gjyqtarit Jovica Mitroviq, Bedri Dibranit, Mirlinda Bllata-Dibranit, Naim Krasniqit, Shaban Tërbunjës dhe Goran Llaziqit.

Të arrestuarit, sipas Prokurorisë, kanë kryer vepra penale që lidhen me korrupsion, atë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, marrjes dhe dhënies së ryshfetit, ushtrimit të ndikimit dhe deklarimeve të rreme.

Sipas organit ndjekës, duke funksionuar si grup i organizuar ata përfitonin kundërligjshëm nga shpronësimet.

Ish-ministri Ismajli dyshohet që kishte shërbyer si ndërmjetës i palëve që kërkonin ri-kompensim dhe zyrtarëve institucionalë – nga gjykata dhe avokatura shtetërore – duke u kujdesur për “zbatimin e marrëveshjeve”, ndarjen e fitimeve dhe transferimin e parave.

Thesari i shtetit në llogarinë e të pandehurës Mirlinda Bilata-Dibrani ekzekutoi pagesën prej 220,000.00 euro, nga e cila shumë e njejta, përmes dy transfereve, ia transferon të pandehurit Fadil Ismajli shumën prej 210,000.00 euro, i cili më pas mjetet e tërhequra ia dorëzon të pandehurit Bedri Dibrani, ku ky i fundit pastaj i shpërndan në shumat si vijon: 4,000.00 euro te Jovica Mitrović, 5,900.00 euro te Shaban Terbunja, 9,500.00 euro te Goran Llazig, 9,000.00 euro te Naim Krasniqi”.- Kërkesa e PSRK-së për paraburgim

Avokatja Bllata-Dibrani, sipas Prokurorisë, ka bërë propozim ankesa në emër të ish-pronarëve të pronave të shpronësuara, jashtë afateve ligjore dhe përkundër që kompensimi ishte bërë më herët.

Po ashtu, ajo dyshohet që paratë e ri-kompensimit të jashtëligjshëm t’i ketë shpërndarë te të dyshuarit bazuar marrëveshjen për përqindje.

Ndërkaq, Mitroviq dhe Krasniqi, në gjykatë dhe avokaturën shtetërore, dyshohet se kanë lejuar përfitimet duke mos kundërshtuar ankesat, rrjedhimisht mundësuar pagesat në mënyrë të parregullt.

Pos mijëra eurove, bizhuterive, armëve, pajisjeve elektronike e dokumenteve të ndryshme, lidhur me këtë rast janë sekuestruar edhe tri automjete.

Të fundit nga rubrika