DASH: Do të angazhohemi në diplomaci që Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka thënë se do të vazhdojnë përpjekjet diplomatike që Qeveria e Kosovës t’i dëgjojë kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka thënë se do t’i vazhdojnë përpjekjet diplomatike për ta bindur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që t’i dëgjojë kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kështu tha ai gjatë një konference për media, teksa është pyetur se si do ta detyrojnë SHBA-të kryeministrin Kurti “që t’i ndalojë veprimet e tij të njëanshme”, pas kritikave që i bëri ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ndaj Qeverisë së Kosovës, lidhur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit.

“Kështu, unë do të them se ne do të vazhdojmë të angazhohemi në diplomaci për ta zgjidhur këtë çështje, dhe ne duam që të dyja palët të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Dhe përtej kësaj, nuk dua të parashikoj ndonjë hap specifik nga këtu”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë se Shtetet e Bashkuara mund të mos e trajtojnë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, pas vendimit për ndalimin e dinarit.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, O’Brien tha se “unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thosha, nëse ne nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”.

Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës – e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin – hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare për shtyrjen e zbatimit të saj dhe kundërshtimit nga serbët e Kosovës.

Të hënën, BQK-ja njoftoi se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj do të zgjasë deri në tre muaj, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova nuk do të heqë dorë nga vendimi për ndalimin e dinarit për pagesa me para të gatshme, por se ai po i respekton kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për këtë çështje.

Por, O’Brien tha të martën se Kosova duhet ta pezullojë vendimin e BQK-së menjëherë dhe të punojë si “shtet modern evropian” për gjetjen e një zgjidhjeje të “këtij problemi konkret”.

“Njerëzit duhet ta dinë se si do t’i paguajnë faturat. Kur lexoj deklaratën e Bankës Qendrore, aty nuk thotë se do ta lejohet përdorimi i dinarit. Thotë se do të ofrohet një alternativë. Kjo duhej bërë para se të zbatohej vendimi në bashkëpunim me komunitetet e prekura dhe me fqinjët që preken nga vendimi dhe sinqerisht me Bashkimin Evropian dhe me ne”, tha O’Brien.

Ai e kritikoi Qeverinë e Kosovës për zbatimin e vendimit pavarësisht, siç tha ai, lindjes se telasheve “në 5-10 minutat e para pasi mësuam për shpalljen e vendimit”.

Shija e redaktorit

Zgjedhjet lokale, nesër intervistohen mbi 50 mijë qytetarë për Exit...

Zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër në 38 komunat e vendit do të shënojnë një rekord historik sa i përket Exit Poll-eve. Në kuadër...

Debati për Prishtinën, paratë e mbledhura nga mesazhet në Debat...

Mbrëmë studio e Debat Plus ishte nikoqire e debatit më të madh e vendimtar në kuadër të garës për zgjedhjet lokale në Prishtinë. Kundër kandidatët...

Mijëra dronë “Skydagger” mbërrijnë në Prishtinë, njofton Kurti: FSK po...

Kontejnerë që mbajnë mijëra dronë luftarakë kamikazë të markës Skydagger mbërritën sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, njoftoi kryeministri në detyrë Albin Kurti. Sipas Kurtit,...

Të fundit nga rubrika