Pas raportimeve për ndërprerje të energjisë elektrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka reaguar zëdhënësja për media e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla.
Qyqalla për Dukagjinin tha se problemi ka ardhur si pasojë e një defekti të paraqitur në një trafo elektrike që ndodhet prapa Klinikës së Kirurgjisë.
Ajo bëri të ditur se ekipet e shërbimeve teknike kanë reaguar menjëherë duke dalë në vendin e ngjarjes për të trajtuar situatën.
Në terren ka intervenuar edhe ekipi për mirëmbajtjen e trafove nga KEDS, të cilët po punojnë për sanimin e defektit dhe rikthimin e plotë të furnizimit me energji.
Qyqalla theksoi se në pikat vitale të Klinikës së Kirurgjisë janë aktivizuar gjeneratorët, duke siguruar furnizim të pandërprerë me energji elektrike për shërbimet esenciale dhe pacientët.
“Pas një defekti të paraqitur në një trafo elektrike mbrapa Klinikës së Kirurgjisë, ekipet e shërbimeve teknike kanë reaguar menjëherë duke dalë në vendin e ngjarjes. Gjithashtu, në terren ka dalë edhe ekipi për mirëmbajtjen e trafove nga KEDS, të cilët janë duke punuar në sanimin e defektit. Në pikat vitale të rëndësishme të Klinikës së Kirurgjisë janë vënë në funksion gjeneratorët për të siguruar furnizim me energji elektrike”, tha Qyqalla për Dukagjinin.