Deklarata për të Zhdukurit – “Pak optimizëm se Serbia do ta bëjë hapjen e arkivave në mënyrë transparente”

Njohësit e çështjeve juridike e politike, miratimin e Deklaratës për të Zhdukurit në Bruksel e kanë konsideruar hap të rëndësishëm për Kosovën, por pritshmëritë e tyre se Serbia do ta zbatojë këtë në terren janë të ulëta. Sipas tyre, Serbia do të mundohet ta sabotojë këtë tematikë duke u munduar të bëjë "lajka dhe manipulime"

Ilustrim

Ndonëse pati pajtim në takimin në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq për çështjen e të Zhdukurve gjatë luftës së fundit në Kosovë, miratimi i kësaj deklarate ngjalli mjaft reagime.

E polemika në opinionin publik pati në lidhje me termin e përdorur në këtë deklaratë dhe për pikën e tretë e cila thotë se “Palët do të angazhohen për të siguruar qasjen e plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000” duke u thënë se këtu u barazua shteti i Kosovës me atë të Serbisë.

Kjo deklaratë në të cilët palët janë pajtuar të angazhohen për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë detyron Serbinë të marrë përsipër hapjen e arkivave përfshirë edhe dokumentat e klasifikuara, mbi vendndodhjen e personave të zhdukur.

Por se a janë termat e përdorur në këtë deklaratë duke iu referuar konventave ndërkombëtare dhe se a ka barazim të palëve, avokati, Taulant Hodaj për Portalin Dukagjini ka thënë se të dy termat kanë kuptimin e njëjtë si zhdukja me forcë apo me dhunë.

Avokati, Taulant Hodaj

Juristi Hodaj ka thënë se në konventat dhe raportet ndërkombëtare në lidhje me çështjen e të zhdukurve shpesh hasen këto terma dhe përdoren të dy termat varësisht prej kontesteve te ndryshme.

“Në konventat dhe raportet ndërkombëtare në lidhje me çështjen e te zhdukurve shpesh hasen këto terma dhe përdoren të dy termat varësisht prej kontesteve te ndryshme.  Varësisht nga përdorimi gramatik i fjalëve si, emër, mbiemër apo folje”, ka thënë Hodaj.

Hodaj jo shumë optimist se Serbia do të hapë arkivat në mënyrë transparente

Ndër të tjera, ai ka thënë se me miratimin e kësaj deklarate në Bruksel ku Serbia detyrohet të hapë arkivat është hap i rëndësishëm për Kosovën dhe sipas tij hap i madh drejt zbardhjes së fatit të të zhdukurve.

“Hapja e arkivave është kruciale sidomos për Kosovën. Nëse ndodh hapja e arkivave pa manipulime nga Serbia atëherë kjo do jetë një gjë e jashtëzakonshme dhe hap i madh për zbardhjen e fatit të të zhdukurve”, ka thënë ai.

Por Hodaj nuk është shumë entuziast se Serbia do të bëjë hapjen e arkivave pasi sipas tij, Serbia si zakonisht do të bëjë lajka dhe manipulime.

“Por nuk jam entuziast se Serbia do ta bëjë hapjen e arkivave në mënyrë transparente sepse si zakonisht do të bëjë lajka dhe manipulime”.

Se cilat janë sfidat me të cilat do të ballafaqohet Kosova në ofrimin e dëshmive eventuale, Hodaj ka thënë mund të ketë problem në këtë pjesë pasi “nuk ka qenë shtet dhe nuk ka qenë çdo gjë e organizuar”.

Muhaxhiri: E pritshme që Serbia ta sabotojë këtë tematikë 

Ndërsa edhe njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri ka thënë se është e pritshme që Serbia ta sabotojë këtë tematikë, pasi ballafaqimi me të do ta çojë drejt hapjes së arkivave dhe qartësimit historik të strategjive jonjerëzore kriminale shtetërore që janë realizuar nga “politika, ushtria dhe policia e saj në vitet e 1990’ta”.

Muhaxhiri në një përgjigje për Portalin Dukagjini ka thënë se institucionet e Kosovës domosdoshmërisht duhet ta mbajnë pikën e të pagjeturve si prioritet në agjendën e bisedimeve.

“Institucionet e Kosovës domosdoshmërisht duhet ta mbajnë pikën e të pagjeturve si prioritet në agjendën e bisedimeve. Është e pritshme që Serbia ta sabotojë këtë tematikë, pasi ballafaqimi me të do ta çojë drejt hapjes së arkivave dhe qartësimit historik të strategjive jonjerëzore kriminale shtetërore që janë realizuar nga politika, ushtria dhe policia e saj në vitet e 1990’ta”, ka thënë Muhaxhiri.

Artan Muhaxhiri, analist politik

Sipas Muhaxhirit, Deklarata për Personat e Zhdukur është një mundësi e mirë për korrigjimin e gabimeve nga e kaluara, mirëpo çdo gjë do të varet nga mekanizmat zbatues në realitet teksa ka shtuar se nëse nuk zbatohet në terren kjo marrëveshje shndërrohet në dështim dhe zhgënjim.

“Ky do të duhej të ishte fokusi i qeverisë sonë, pasi pa afate të sakta dhe pa mbikëqyrje të vazhdueshme të ecurisë së zhvillimeve në terren, edhe kjo marrëveshje do të shndërrohet në dështim dhe zhgënjim të mëtutjeshëm”, ka vijuar ai.

I pyetur se cilat janë hapat konkretë që duhet të ndërmarrin institucionet e Kosovës, ai ka thënë se esenca qëndron në kushtëzimin e drejtpërdrejtë që avancimi i Serbisë në rrugën evropiane të ndërlidhet me detyrimin e saj të dëshmimit të konstruktivitetit në krijimin e kushteve për identifikimin dhe qasjen e ekipeve të specializuara në vendet ku dyshohet ekzistenca e varrezave masive.

Sipas tij, çështja e personave të zhdukurve paraqet traumën më të madhe kolektive të pasluftës dhe se asnjëherë nuk është adresuar me seriozitetin e merituar.

“Fatkeqësisht, kjo traumë kolektive asnjëherë nuk është adresuar me seriozitetin e merituar. Prej vitit 1999, as institucionet kosovare dhe as ato ndërkombëtare nuk kanë bërë angazhime maksimale drejt arritjes së plotësimit të drejtësisë për të zhdukurit dhe lutjeve të përshpirtshme të familjarëve”, ka përfunduar ai.

Për termin e përdorur për të Zhdukurit në këtë deklaratë ka dhënë detaje edhe Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.

Ai ka vënë theksin te përfshirja e termit “të zhdukur me forcë” në deklaratë, që sipas tij është tregues i qartë për krimet shtetërore të Serbisë në Kosovë, derisa ka kritikuar deklaratat mbi barazimin e palëve.

“Nuk e di pse para se të deklaroheni publikisht nuk mendoni së pari! Kosova nuk ka qenë shtet në kohën e luftës. Dhe si rrjedhojë, Kosova nuk ka asnjë dokument të luftës për këto krime në posedim të institucioneve të saj”, ka thënë ai.

Andin Hoti

Sipas tij, me anë të kësaj deklarate nuk është shfajësuar Serbia për asgjë, por është fajësuar për krime ndaj popullit të Kosovës.

Ai ka thënë se secila Qeveri në Kosovë ka bërë më të mirën e mundshme në raport me personat e zhdukur dhe se fajtori i vetëm për këto krime është Serbia.

Ndryshe, më 2 maj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq me ndërmjetësimin e zyrtarëve evropianë në takimin e tyre në Bruksel në kuadër të dialogut kanë miratuar Deklaratën për të Zhdukurit gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Deklarata parasheh disa angazhime për palët, që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të mbi 1.600 personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur nga lufta e viteve 1998/99.

Borell tha se BE-ja e mirëpret miratimin e saj dhe pret që “palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur”.

“Zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur nuk është vetëm një detyrim humanitar. Ajo është gjithashtu një mundësi thelbësore për pajtimin dhe besimin mes njerëzve”, tha, mes tjerash, Borrell.

Deklarata e plotë për personat e zhdukur:

Duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur dhe për të nxitur pajtim dhe paqe të qëndrueshme,

Duke pasur parasysh se kjo Deklaratë ndjek mirëkuptimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për Personat e Zhdukur, që përfshin personat e zhdukur me forcë,

Duke kujtuar se të gjitha kategoritë e personave të zhdukur, do të trajtohen me prioritet të barabartë,

Duke njohur punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit Punues për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga KNKK,

Duke inkurajuar bashkëpunimin me aktorë të tjerë relevantë në fushën e personave të zhdukur, në veçanti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP),

Duke e njohur çështjen e personave të zhdukur si çështje humanitare,

Duke vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë për të lehtësuar vuajtjet e familjeve,

Ne angazhohemi bashkërisht,

Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e personave të zhdukur,

Për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe për të pasuar më pas me gërmime,

Për të siguruar qasjen e plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet dhe çdo dokument tjetër – përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar – nën posedimin e institucioneve të të dyja palëve, që janë të rëndësishme për këtë kontekst,

Për t’i vënë në dispozicion të gjitha dokumentet vendore dhe ndërkombëtare me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji tjera, në zbulimin e varreve masive,

Për të mundësuar dhe inkurajuar angazhimin aktiv të familjeve të personave të zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre,

Për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe për të adresuar nevojat e familjeve të personave të zhdukur,

Për të krijuar dhe punuar së bashku përmes një Komisioni të Përbashkët, të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK, me qëllim të mbështetjes së përpjekjeve për të zgjidhur fatin e personave që mbeten të zhdukur,

Për të monitoruar dhe mbështetur punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika