Reshjet me intensitet të ditëve të fundit në Shqipëri kanë shkaktuar dëme të shumta në bujqësi.
Ekspertët e konsiderojnë këtë situatë si të pazakontë ndërsa thonë se bimët rrezikojnë të asfiksohen. Ata apelojnë fermerët që të marrin masa për të larguar ujin dhe të bëjnë trajtimin e bimëve.
“Ka shkaktuar dëme serioze në bujqësi. Duke filluar nga bimët e arëve, në perime të mbjella në sera, në blegtori, në koshera bletësh”, u shpreh Kadri Gaxho, specialist bujqësie.
“Kryesore është që fermerët duhet të marrin masa të shpejta për kullimin e tyre, largimin e ujit të tepërt, dhe më vonë me ndonjë ndërhyrje për trajtime kimike, jo të tokës, të bimëve”, tha Agim Toromani, specialist bujqësie.
Trajtimi është i nevojshëm edhe për pemët frutore dhe ullishtet.
“Dëmi më i madh në rrethin e Lushnjës është bërë në disa blloqe ullishtesh, lajthish, e pemë të ndryshme frutore që janë mbjellur rreth kësaj argjinature. Ka gati 4-5 ditë që uji qëndron në lartësinë gati 1 metër e gjysmë, e kuptohet që dëmi është shumë i madh”, tha Gaxho.
Përmbytjet në Lushnjë u shkaktuan nga dalja nga shtrati e lumit Seman. Dëme pati edhe në Dimal, kryesisht në serra. Sipas të dhënave, në këtë bashki u përmbytën rreth 40 ha serra perimesh dhe rreth 120 ha tokë bujqësore kanë qenë nën ujë./tvklan