Denkov: Sofja nuk ndryshon qëndrim ndaj Shkupit

Kryeministri i Bullgarisë, Nikolai Denkov, ka bërë thirrje që Maqedonia e Veriut të përmbushë detyrimet e saj ndaj Bashkimit Evropian për ndryshimet kushtetuese, duke përfshirë përfshirjen e pakicës bullgare si popull shtetformues në Kushtetutë. Ky është kushti kryesor që duhet të përmbushë Maqedonia e Veriut për të shmangur veton e Bullgarisë që e ka përdorur më parë për të bllokuar bisedimet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe BE-së

Kryeministri i Bullgarisë, Nikolai Denkov. Fotografi nga arkivi.

Bullgaria mbetet në pozicionin e njëjtë sa i përket Maqedonisë së Veriut, se duhet të përmbushë detyrimet e saj ndaj Bashkimit Evropian lidhur me domosdoshmërinë për ndryshimet kushtetuese, ka deklaruar kryeministri bullgar, Nikolai Denkov, në një intervistë për gazetën e Sofjes “24 orë”.

Ndryshimet kushtetuese, që janë në procedurë parlamentare në Maqedoninë e Veriut, parashikojnë përfshirjen në preambulën e Kushtetutës të pakicës bullgare, si popull shtetformues.

Ky është kushti kryesor të cilin duhet të përmbushë Shkupi, në të kundërtën Sofja mban të drejtën e vetos të cilën e kishte përdorur në nëntor të vitit 2020, duke bllokuar bisedimet në mes të Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

Kryeministri bullgar, Nikolai Denkov, tha se pas miratimit të “propozimit francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mes të dy vendeve, bisedimet duhet të vazhdojnë në mes të Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

“Nuk ka asnjë arsye për të ndryshuar qëndrimin tonë. Me zbatimin e të ashtuquajturit ‘propozim francez’, si rezultat i të cilit u hoq vetoja, bisedimet në fakt tani nuk janë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, por mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. Ajo që pritet është që ata të përmbushin detyrimet e tyre ndaj BE-së. Nuk ka arsye për të ndryshuar qëndrimin tonë”, ka theksuar Denkov.

Kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, pas takimit që zhvilloi më 27 gusht me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski, takim që u mbajt para fillimit të Forumit Strategjik në Bled të Sllovenisë, ka thënë se është i bindur se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE.

Pas takimit me Kovaçevskin, Michel në rrjetin social X, i dha mbështetje të plotë iniciativës për miratimin e amendamenteve kushtetuese, “pavarësisht sfidave të shumta politike”.

Për rëndësinë e ndryshimeve kushtetuese dhe vazhdimin e procesit integrues u fol edhe në takimet e të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës së tij në Shkup më 24 dhe 25 gusht.

Ndryshimet kushtetuese kundërshtohen nga opozita maqedonase, e cila pretendon se “përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutë nuk nënkupton fundin e kërkesave e diktatit bullgar”.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski, në një intervistë për gazetën e Beogradit “Politika”, ka akuzuar diplomacinë maqedonase se “nuk lufton për pozita më të mira dhe garanci se nuk do të ketë pengesa të reja për rrugën e integrimit evropian.

“Cila është garancia se ky ndryshim i Kushtetutës, i cili tani po i kërkohet Maqedonisë [së Veriut], do të jetë i fundit? Cila është garancia se nesër nuk do të ketë kërkesë për ndryshim të Kushtetutës në të cilën do të ripërcaktohen çështjet identitare ose nuk do të ketë minimizim dhe fshirje të re të historisë maqedonase”, ka deklaruar Mickoski.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka thënë për agjencinë maqedonase të lajmeve, MIA, se është i bindur se procesi për ndryshimet kushtetuese në vend do të përfundojë me sukses në javët apo muajt e ardhshëm, transmeton Portali Dukagjini.

“Procesi ka filluar, siç e shihni, e gjithë bota, si SHBA-ja ashtu edhe BE-ja, e mirëpritën vendimin për fillimin e procesit. Jam bindur se ky proces do të përfundojë me sukses në javët dhe muajt e ardhshëm”, ka thënë ai.

Shija e redaktorit

Garat e çiklizmit, edhe sot bllokim i përkohshëm i qarkullimit...

Policia e Kosovës ka njoftuar se edhe të shtunën, më 21 qershor 2025, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit për automjetet në...

Vasfije Krasniqi rrëfen historinë e saj në OKB: Drejtësia është...

Vasfije Krasniqi ka ndarë rrëfimin e saj si e mbijetuar e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë, në Kombet e Bashkuara në...

Në ditën e çlirimit të komunës, përurohet memoriali i dëshmorëve...

Në tokën kur dikur u derdh gjak për liri, sot përjetësohen emrat që nuk do të shuhen kurrë. Në ditën e çlirimit të komunës së...

Të fundit nga rubrika