Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, njoftoi gjatë vizitës së tij në Sllovaki dhe Hungari hapa konkretë drejt ndërtimit të centraleve bërthamore në Evropën Qendrore me zbatimin e teknologjive të përparuara amerikane, me qëllim forcimin e sigurisë energjetike dhe sigurisë kombëtare, njoftoi sot Departamenti Amerikan i Shtetit.
Në njoftim thuhet se Rubio prezantoi masa në Bratislavë dhe Budapest që hapin rrugën për përmirësimin e sigurisë energjetike të rajonit, forcimin e kapaciteteve industriale dhe rritjen e konkurrueshmërisë teknologjike, duke përfshirë mbështetjen për zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Në Sllovaki, do të fillojë zbatimi i marrëveshjes ndërqeveritare midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Sllovakisë, e nënshkruar më 16 janar, me financimin amerikan të fazës fillestare të përgatitjes për ndërtimin e një centrali të ri të madh bërthamor nga Westinghouse Electric Company.
Bëhet fjalë për krijimin e një studimi të Projektimit Inxhinierik Fillestar (FEED), i cili do të kryhet në kuadër të programit FIRST të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, i cili synon të mbështesë programe bërthamore të sigurta dhe të përgjegjshme.
Gjatë qëndrimit të tij në Budapest, Rubio nënshkroi marrëveshjen ndërqeveritare midis SHBA-së dhe Hungarisë mbi bashkëpunimin bërthamor civil, e cila thuhet se do të krijojë bashkëpunim afatgjatë në fushën e energjisë bërthamore.