Deputeti i Uellsit të Ri Jugor (NSW), Gareth Ward, është shpallur fajtor për përdhunim dhe disa akuza për sulm seksual ndaj dy meshkujve të rinj, në një proces gjyqësor që ka zgjatur nëntë javë në Gjykatën e Distriktit të NSW.
Ward, i cili vazhdon të mbajë mandatin si anëtar i parlamentit shtetëror, u gjet fajtor nga një juri pas tre ditësh diskutimesh, për një akuzë për përdhunim dhe tre akuza për sulm të pahijshëm seksual.
Sipas dëshmive të paraqitura në gjykatë, dy viktimat – një 18-vjeçar dhe një 24-vjeçar – janë sulmuar në banesën e Ward në periudhën midis viteve 2013 dhe 2015, pasi ishin njohur me të përmes kontakteve politike. Në njërin rast, një 18-vjeçar i dehur ishte ftuar në apartamentin e Ward, ku më pas u sulmua seksualisht në mënyrë të përsëritur, përkundër rezistencës së tij. Dy vite më vonë, Ward kreu një akt përdhunimi ndaj një punonjësi të parlamentit pas një ngjarjeje zyrtare.
Ward, i cili në vitin 2021 dha dorëheqje nga posti i ministrit shtetëror dhe u largua nga Partia Liberale pas publikimit të akuzave, refuzoi të dorëhiqej nga parlamenti dhe madje u rizgjodh si përfaqësues i zonës Kiama në vitin 2023.
Në mbrojtjen e tij, Ward mohoi akuzat, duke pretenduar se incidenti i vitit 2015 nuk kishte ndodhur dhe se ngjarja e vitit 2013 ishte keqinterpretuar nga viktima. Megjithatë, prokurorja Monika Knowles theksoi para jurisë se dëshmitë e dy viktimave – të cilët nuk njiheshin mes vete – përmbanin ngjashmëri të habitshme.
“Sjellje e ngjashme, vend i ngjashëm, i njëjti njeri, e njëjta përfundim. Nuk është rastësi”, tha Knowles, sipas raportimeve të mediave australiane.
Vendimi për dënimin e Ward pritet të shpallet më vonë gjatë vitit, ndërsa qeveria e NSW kishte shqyrtuar më herët mundësinë për ta përjashtuar atë nga parlamenti. Sidoqoftë, këshillat ligjore kishin paralajmëruar se një veprim i tillë mund të ndikonte negativisht në rrjedhën e procesit gjyqësor.