Deputetja Deliu: Më gëzon suksesi i secilës grua në institucionet e Kosovës

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, në intervistë për Radio Dukagjinin në emisionin Drive on D ka treguar se si i gëzohet çdo arritjeje të grave dhe vajzave, duke thënë se pavarësisht që nuk janë në partinë së cilës ajo i përket, suksesi i grave e gëzon gjithandej

Prezantuesit e emisionit Drive on D, Donika Hyseni dhe Mirdon Pacolli së bashku me ministren e PDK-së, Blerta Deliu - Kodra





Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, në një intervistë ndryshe nga të tjerat që ka realizuar deri më tani, ka rrëfyer se si është gjithmonë në krahë të vajzave dhe grave, për të cilat gjithmonë mundohet të jetë zëri i tyre.

Deputetja Deliu ka thënë se gëzohet për suksesin e secilës grua në institucionet e Kosovës, edhe për faktin që sipas saj, në të gjitha partitë politike ka më shumë gra se legjislaturat e kaluara.

“Edhe partitë të cilat sot janë në udhëheqje për të cilat unë kam shumë kritika, por kanë një numër të grave që iu kanë dhënë peshë brenda kuvendit”, është shprehur ajo.

Ajo gjatë intervistës në emisionin Drive on D për Radio Dukagjinin, ka thënë se pavarësisht që nuk është në partinë së cilës ajo i përket, suksesi i grave e gëzon gjithandej, sepse “të gjitha bashkë e bëjmë Kosovën”.

Po ashtu, ajo ka përmendur ish-presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga,  duke thënë se me përkushtim ka kryer detyrën, dhe vazhdon akoma ta bëjë një punë të jashtëzakonshme, por në media sipas saj nuk është paraqitur si duhet.

Sipas saj, politika nuk duhet të shihet si arenë e dyluftimeve, duke thënë se gjykimi ndaj grave është i madh jo vetëm në Kosovë por edhe në vende të tjera jashtë vendit.

“Kur keni dëgjuar që për politikanët tonë flitet se çfarë ka veshur ministri, ose cila ka qenë çanta e ministrit?”, ka pyetur ajo. “Më dhemb që ende akoma ekziston dhe është bërë shumë e shpeshtë se si gratë në politik duan t’i portretizojnë me mënyrën se si janë veshur, sa kanë bërë gabime si kanë thonjtë, e shumë çka tjetër”.

Ndërsa, ajo ka treguar se për përkrahje të grave ka qenë në maratonën e vrapimit në Tiranë, e cila ishte 42 kilometra, “për të përçuar këtë mesazhin e kurajës e të energjisë që bartin gratë e shumë nëna në Kosovë “.

Ajo ka pasur dëshirë të që ta përfundoj 42 kilometershin e maratonës, për të ngritur zërin e ndërgjegjësimin se vajzat dhe gratë mund të ia dalin, “dhe për të sfiduar këtë tabunë tonë që ne duhet ta ngritin zërin e ta mbështesim fort njëra tjetrën e të jemi krah i shumë vajzave e grave që sot janë pa zë”.