Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, vlerëson se nuk është normale që shtatë muaj pas certifikimit të rezultateve, të arrihet në seancën kryesore, atë të votimit për Qeverinë – pa marrëveshje politike që garanton shumicën në Kuvend dhe pa vullnet të sinqertë për kompromis.
Cakolli thotë tashmë është e qartë se problemet nuk kanë qenë ligjore ose kushtetuese por sipas tij ka qenë përdorimi i qëllimshëm i taktizimeve procedurale për të zvarritur procesin, njofton Dukagjini.
“Tanimë është e qartë se, gjatë gjithë kësaj kohe, problemet nuk kanë qenë ligjore apo kushtetuese, por pasojë e përdorimit të qëllimshëm të taktizimeve procedurale dhe të diskursit publik për të zvarritur procesin. Mungesa e stabilitetit institucional, rrezikimi i buxhetit dhe i kredibilitetit ndërkombëtar të Kosovës nuk janë shqetësime që lindën sot. Ato kanë qenë reale e të njohura prej muajsh – kohë kjo që u harxhua duke shmangur marrëveshjen politike dhe ndërtuar narrativën e viktimizimit”, ka shkruar tutje ai.
Sipas Cakollit vendi gjendet në një fazë që ngjan më shumë me mospranim de facto të rezultateve zgjedhore, për shkak, sipas tij, të mos kënaqshmërisë me to.
“Procesi politik është kthyer në një garë për fajësim, në prag të zgjedhjeve të reja që tashmë duken të pashmangshme – sepse nuk ekziston interes i vërtetë për një qeveri disa mujore, nga asnjëra palë. Këta muaj duhet të na mësojnë se demokracia nuk funksionon pa dialog, kompromis dhe respekt ndaj rezultateve, mbi bazën e të cilave pastaj sigurohet formimi dhe funksionimi normal i institucioneve”, ka shkruar Cakolli në Facebook.