Diskutimet e mospajtimet po vazhdojnë ta përcjellin edhe më tutje Këshillin Prokurorial.
Në mbledhjen e parë për këtë vit, që është edhe e para pas hyrjes në fuqi të ligjit për KPK-në, ulësen e kryesuesit e zuri ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit Agron Qalaj.
Ai fillimisht sqarojë arsyen e mbledhjes së sotme.
“Kjo mbledhje ka karakter konstitutiv dhe funksionalizues, pasi shënon fillimin formal të funksionimit të Këshillit në konfigurimin e ri ligjor dhe institucional, dhe synon krijimin e parakushteve procedurale për funksionimin e qëndrueshëm dhe të ligjshëm të Këshillit. Qëllimi parësor i kësaj mbledhjeje nuk është trajtimi i çështjeve meritore apo kontestuese, por ndërtimi i bazës organizative dhe procedurale mbi të cilën Këshilli do t’i ushtrojë kompetencat e tij në vijim”, ka thënë Qalaj.
Pikat e rendit të ditës nuk u pëlqyen nga disa anëtarë të KPK-së, që kërkonin me ngulm që fillimisht të certifikohej rezultati i procesit zgjedhor të 1 nëntorit 2025, me të cilën ishte zgjedhur anëtari prokuror i Këshillit.
“Nga 8 janari jemi duke u takuar formalisht dhe nuk kemi arritur kompromis dhe tre anëtarë të këshillit kemi propozuar me shkrim rendin e ditës, cka sot nuk figuron në rend ditës me këto veprime ju kryesues i këtij takimi po tregoni se jeni paksa pengues…”, ka thënë anëtari Visar Krasniqi.
“Takimi i parë i secilit organ secilit institucion kolegjial është i orientuar në zgjedhjen e krerëve apo strukturës drejtuese të saj e jo në çështje që përfshijnë kompetencën e përgjithshme..” ka thënë anëtari tjetër i KPK-së, Milot Krasniqi.
Për mbledhjen e sotme të KPK-së, Qalaj kishte kërkuar opinioni ligjor nga Zyra Ligjore e KPK-së.
“Ajo çka unë e pashë nga fjalimi fillestar, thatë se keni një opinion ligjor, për hir të, unë nuk jam i pajisur me një opinion të tillë ligjor. Nesër ka një opinion të tillë, është mirë të na pajisni. Ne nuk mund të diskutojmë deri sa të pajisemi me këtë opinion, kam dy pyetje: nga ku ka ardhur ky opinion”, ka thënë anëtari Arian Gashi.
Mbledhja e KPK-së, u ndërpre disa herë për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. Pas më shumë se 1 orë diskutimesh mbledhja ka dështuar, meqë rendi i ditës nuk morri votat e mjaftueshme. Përveç propozimit të Krasniqit për certifikim të rezultatit, votat e nevojshme nuk morën as pikat, ku parashihej shqyrtimi dhe miratimi i Rregullores për zgjedhjen e kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit të KPK-së në përputhje me Ligjin e ri të KPK-së, e vendimi për shpalljen e thirrjes publike për kandidatura për kryesues dhe zëvendëskryesues të KPK-së.
KPK-ja ka mbetur pa kryesues që nga 1 janari, meqë Ardian Hajdarajt dhe disa anëtarëve të tjerë u ka skaduar mandati, e ligji ri parasheh zvogëlimin e përbërjes së KPK-së në 7 anëtarë.