Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për krime lufte, Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq, ka dështuar të mbahet të enjten, pasi mbrojtja kërkoi shtyrjen e saj për shkak të vonesave në përkthimin e deklaratës së dëshmitarit në gjuhën serbe.
Sipas avokatit të palës mbrojtëse, Predrag Milkoviq, përkthimi i deklaratës së dëshmitarit që ishte planifikuar të dëgjohej sot, është pranuar vetëm pak minuta para fillimit të seancës. Për këtë arsye, ai kërkoi që seanca të mos vazhdohej.
“Nuk jemi gati sepse tani e keni pranuar deklaratën e dëshmitarit të përkthyer para 10 minutash. Më vjen keq që i kemi humbur 20 ditë nga gjykimi i kaluar, por mbrojtja nuk pranon që kjo të vazhdohet”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, prokurorja e rastit, Florie Shabani, kërkoi që dëgjimi i dëshmitarit të zhvillohej për të mos vonuar më tej procesin gjyqësor. Ajo tha se përkthimi i deklaratës ishte dorëzuar me kohë, por për shkak të pengesave teknike kishte ndodhur vonesa në shpërndarjen e saj.
“Ne me kohë kemi dorëzuar këtë deklaratë të përkthyer, por për shkak të disa pengesave në kompjuter, për të mos e zvarritur këtë procedurë, është mirë që dëshmia e dëshmitarit të merret nga ana e prokurorisë, ndërsa në një seancë tjetër të merret nga pala tjetër”, ka thënë ajo, raporton EO.
Megjithatë, avokati Milkoviq e kundërshtoi këtë propozim, duke thënë se dëgjimi i dëshmitarit në këtë fazë nuk është i arsyeshëm dhe se të gjitha shkresat e rastit tashmë janë dorëzuar.
Pas diskutimeve, kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala, vendosi që seanca të shtyhet për t’i dhënë kohë mbrojtjes që të shqyrtojë deklaratën e përkthyer.
“Vlerësojmë që sot nuk ka kushte që të vazhdohet me këtë proces gjyqësor dhe i jepet kohë që të lexohet deklarata”, ka thënë Shala.
Në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohej dëshmia e dëshmitarit Naim Haliti.
Të akuzuarit, Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq, ngarkohen se, në cilësinë e pjesëtarëve të policisë serbe, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë, ushtrisë dhe formacioneve paramilitare serbe, kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë.