Rreth 40 persona kanë humbur jetën dhe 115 të tjerë janë plagosur, shumica rëndë, pasi një zjarr i fuqishëm përfshiu një lokal nate gjatë festës së Vitit të Ri në qendrën turistike luksoze Crans-Montana në Zvicër, kanë bërë të ditur autoritetet zvicerane, shkruan Reuters.
Sipas policisë, zjarri shpërtheu rreth orës 01:30 të mëngjesit në lokalin “Le Constellation”, teksa dhjetëra persona po festonin ndërrimin e viteve. Lokali, sipas banorëve lokalë, frekuentohej kryesisht nga të rinj dhe adoleshentë.
Presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin, e ka cilësuar ngjarjen si “një nga tragjeditë më të rënda që ka njohur ndonjëherë vendi”, duke theksuar se shumica e viktimave janë të rinj. Ai shtoi se një moment feste u shndërrua në një ditë zie për mbarë Zvicrën dhe më gjerë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se shkaku i zjarrit, i cili fillimisht ishte raportuar si shpërthim, ende nuk është konfirmuar, por deri më tani nuk ka indicie se bëhet fjalë për një sulm.
Prokurorja lokale, Beatrice Pilloud, ka njoftuar se është hapur një hetim i plotë, duke theksuar se është ende herët për të folur për dështime të mundshme të sigurisë.
Dëshmitarë okularë kanë përshkruar skena paniku dhe kaosi. Video të verifikuara tregojnë flakët që përhapen me shpejtësi, ndërsa njerëzit përpiqeshin të largoheshin nga ndërtesa.
Dy vajza franceze që ndodheshin brenda lokalit kanë deklaruar se zjarri nisi në bodrum, pasi një shishe me fishekë festash u afrua shumë pranë tavanit prej druri, duke bërë që flakët të përhapeshin brenda pak sekondash.
Shefi i policisë së kantonit Valais, Frederic Gisler, ka konfirmuar se rreth 40 persona konsiderohen të vdekur dhe 115 të plagosur. Identifikimi i viktimave po vazhdon, por autoritetet kanë pranuar se procesi do të marrë kohë për shkak të gjendjes së rëndë të trupave.
Sipas autoriteteve italiane, 16 shtetas italianë rezultojnë të zhdukur, ndërsa dhjetëra të tjerë janë duke u trajtuar në spitale në Zvicër dhe qytete të tjera evropiane. Viktimat besohet se vijnë nga disa shtete të ndryshme.
Të plagosurit janë trajtuar fillimisht në qendra të improvizuara ndihme dhe më pas janë dërguar në spitale në Lozanë, Cyrih dhe qytete të tjera, ndërsa Franca, Gjermania dhe Italia kanë ofruar ndihmë mjekësore.
