Detaje tjera nga aktakuza: “Një sulm tjetër ishte planifikuar në tetor 2024”

Veprimtaria e Jovan Viçentijeviq kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, shkon përtej aktit terrorist të 29 Nëntorit 2024 lidhur shpërthimin e kryer në kanalin e Ibër-Lepencit. Në dëshminë e tij ai ka folur për një sulm tjetër që ishte planifikuar në Tetor 2024, ku ishte i përfshirë Milan Radoiçiq – ndërsa si arsyet e ndaljes së sulmit përmenden zgjedhjet në SHBA. Viçentijeviq është i inkriminuar edhe në rastin e Banjskës.

Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas dëshmisë së të akuzuarit në rastin “Varaga”, Jovan Viçentijeviq, ishin bërë shkak që Kosova të shpëtonte nga një sulm i planifikuar nga Milan Radoiçiq dhe grupi i tij në tetor të vitit 2024.

Kjo deklaratë të anëtarit të Ushtrisë së Serbisë, i arrestuar dhe akuzuar për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, është pjesë e aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale.

“Jovan Viçentijeviq ka theksuar se në muajin tetor të vitit 2024, ka qenë i planifikuar një sulm në Republikën e Kosovës (nuk ka cekur diçka më shumë), por ishte stopuar nga i kërkuari me letër-rreshtim ndërkombëtar Milan Radoiçiq me arsyetimin se duhet të presim deri në të përfundojnë zgjedhjet në Amerikë, dhe kandidati për president të SHBA-së, z. Donald Trump të fitojë, pasi që sipas informatave që ka i pandehuri Viçentijeviç, Milan Radoiçiq ka financuar fushatën e z. Trump tek Lobi Serb me tridhjetë (30) milionë dollarë”.

Deklarata e Jovan Viçentijeviq, i cili është i akuzuar edhe për spiunazh, është e lidhur me pjesën ku ai tregon se si së bashku me anëtarë të tjerë të komunitetit serb në veri kishin kryer stërvitje ushtarake në “Pasulanske Livade” të Serbisë, më 2022 – për çka ka edhe dëshmi me video e fotografi.

Pos eprorëve të ushtrisë serbe, disa prej cilëve përmenden me emër dhe pozitë, nga personat kryesor aty ishte edhe Vladimir Radivojeviq i njohur si “Mami” – i akuzuar për sulmin terrorist-paramilitar në Banjskë.

Vetë Viçentijeviq, i cili sipas aktakuzës është pjesë e organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”, është i inkriminuar edhe në rastin e Banjskës.

Me qëllim që t’i ndihmonte Zhivko Jaksiqit – pjesëmarrës në sulmin terrorist të  24 Shtatorit – Viçentijeviq kishte pranuar nga Jaksiq, në Viber, lokacionin nëpërmjet “google maps”, në kohën e afërt me sulmin.

Prokuroria thekson se veprimtarinë e Jovan Viçentijeviq kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, e vërtetojnë edhe dëshmitë tjera të gjetura në pajisjet elektronike e po ashtu sikur komunikimet me një person të quajtur Darko për blerje armësh, municioni e veshjesh ushtarake.

Në kompjuterin e tij institucionet kanë gjetur dëshmi për veprimtarinë e tij prej sipuni që nga Marsi i 2004-tës.

“… janë gjetur fotografi të ngjarjeve të vitit 2011, gjatë sulmit në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, fotografi të barrikadave, fotografi të ngjarjeve të vitit 2004, fotografi të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila është me një strukturë dhe organizim si dhe përmend emra të shumë shqiptarëve brenda saj, fotografi të vendeve të ndryshme në Kosovë ku i pandehuri i ka vizituar dhe ka fotografuar”.

Por, aftësitë prej spiuni i kishin dështuar më 1 Dhjetor 2024, dy ditë pas sulmit, kur ishte përpjekur të shpëtonte nga arrestimi duke u prezantuar rrejshëm kur ishte ndalur nga Policia – vetë i treti në një veturë, i ulur prapa me kokën poshtë, e pa dokumente, kinse po shkonte nga fshati Cerpulje në Zubin Potok për të blerë barna.

Krahas ekspertizës së baltës nga FBI dhe asaj të ADN-në në fitilin ndezës – të kryer në Itali – të cilat e inkriminojnë direkt, Prokuroria ka siguruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë që shfaqin lëvizjet me veturë të Jovan Viçentijeviqit dhe vëllait Dragisha, në ditën e sulmit.

Për sulmin e 29 Nëntorit 2024, prokuroria përmend edhe një paralajmërim në një grup në Telegram, pjesë e të cilit ishte dhe ku kishte bërë komunikime Viçentijeviq.

Të fundit nga rubrika