“Dezinformata kundër zgjedhjeve” – Narrativat dhe dezinformatat që synojnë krijimin e mosbesimit në institucione

Screenshot

Kosova, para dhe gjatë shtetndërtimit është përballur në vazhdimësi me dezinformata, propagandë dhe me narrativa kundër saj, të cilat e kanë burimin në Rusi dhe Serbi.

Dokumentari i titulluar: “Dezinformata kundër zgjedhjeve” trajton jo vetëm ndërhyrjet e këtyre dy shteteve në zgjedhjet në Kosovë, por edhe dezinformatat e narrativat e tjera të shtyra prej tyre kundër institucioneve të Kosovës.

Hulumtimi i BIRN-it i titulluar: “Gjuha e urrejtjes dhe dezinformimi gjatë zgjedhjeve 2025 në Kosovë”, kishte gjetur se gjatë zgjedhjeve të mbajtura më 09.02.2025 ka pasë ndërhyrje dezinformuese nga burimet ruse.

Ky hulumtim gjeti se brenda një periudhe më pak se pesë muaj, ministri i Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergei Lavrov dhe zëdhënësja e kësaj ministrie, Maria Zakharova kishin përmendur Kosovën së paku 32 herë, duke kontestuar shtetësinë e saj, procesin zgjedhor, si dhe duke akuzuar  institucionet e Kosovës për “spastrim etnik të serbëve”, me mbështetjen e perëndimorëve.

Këto pretendime ishin bërë lajme në gjuhë të ndryshme të botës.

KALLXO.com ka monitoruar po ashtu për dy muaj katër media ruse të kontrolluara nga Kremlini, gjatë periudhës para dhe pas mbajtjes së Zgjedhjeve lokale 2025, të datës 12.10.2025 në Kosovë.

Ky monitorim ka nxjerr të dhënën se gjatë kësaj periudhe janë publikuar 353 artikuj dezinformues për Kosovën nga mediat e kontrolluar nga Rusia.

lg.php.gif

Rrjeti i mediave Sputnik, me qendër në Serbi, gjatë kësaj periudhe ka publikuar 193 artikuj për Kosovën. Pas Sputnik-ut, vjen media Russia Today Balkan e cila ka publikuar 125 artikuj për Kosovën. 

Kurse rrjeti propagandistik rus Pravda, i njohur për shpërndarjen e dezinformatave në mbi 80 shtete të botës dhe në dhjetëra gjuhë të ndryshme i ka publikuar 33 artikuj në gjuhën shqipe për Kosovën. TASS (Russian News Agency), ndërkaq i ka publikuar vetëm 4 artikuj për Kosovën. Në total, këta satelitë medialë të Kremlinit, i kanë publikuar 353 artikuj, apo rreth 6 artikuj në ditë.

Gjatë procesit të zgjedhjeve në Kosovë që nga paslufta përhapen dezinformata të brendshme dhe të jashtme. Ato të brendshmet zakonisht janë për betejat politike që bëhen për të mposhtur kundërshtarët, kurse të jashtmet- që nga ajo kohë kanë ardhur kryesisht në dy forma. Narrativa e parë ka qenë nga Rusia e Serbia të cilat kontestonin zgjedhjet që mbaheshin në Kosovë duke synuar delegjitimimin e institucioneve, dhe e dyta kishte të bënte me mesazhet që përcilleshin nga disa imamë, kryesisht nga Maqedonia e Veriut që bënin thirrje për mospjesëmarrje në zgjedhje, duke i konsideruar ato si haram.

Ish-Inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani për KALLXO.com ka thënë se Irani është njëri prej shteteve që investon në Kosovë në indoktrinimin religjioz dhe manipulimin e njerëzve.

Megjithatë, sipas tij, synimet e Iranit nuk janë religjioze por se religjioni përdoret vetëm si instrument manipulimi.

Pavarësisht se duket që Irani nuk ka shtrirje të madhe në rajon dhe në Kosovë, qëllimet nuk janë religjioze, por janë krejtësisht politike dhe indoktrinimi religjioz është vetëm instrument manipulimi. Derisa të arrijë shoqëria e Kosovës ta kuptoj që nuk është aspekt religjioz por është krejtësisht politik, gjeostrategjik dhe se ka edhe qëllime të tjera armiqësore ndaj rajonit dhe Kosovës, vetëm në atë moment do të ulet ky lloj indoktrinimi.”– është shprehur Ramadani.

Edhe Vesa Kelmendi, njohëse e ekstremizmit të djathtë ka një shpjegim për narrativat që janë krijuar nga “komuniteti i ekstremistëve islamë”, të cilët sipas saj, në një kohë shpresonin për një kalifat apo për një jetë më ndryshe brenda rregullave të kalifatit.

“Mendoj që kjo ka qenë narrativa kryesore që

ata janë bazuar pse nuk duhet votuar. Në anën tjetër, gjithmonë ka qenë edhe tendenca—për shembull, nëse i marrim deklaratat e shumicës së politikanëve, asamblistëve ose deputetëve, ata i kanë targetuar, duke thënë, ‘ky deputet e ka mbështetur komunitetin LGBT dhe për këtë arsye kjo parti politike nuk duhet votuar?’. Edhe këto narrativa kanë qenë pjesë e grupeve të cilat kanë qenë të infiltruara në rryma ekstremiste me bazë në religjion”- ka thënë ajo.

Sipas saj ka pasur tendenca që narrativat e tilla të shtyhen përpara.

“Unë e kam vërejtur që ndoshta kemi pasur edhe njerëz që nuk kanë mundur të bashkohen në luftën në Siri dhe në Irak, por ata janë aktivë në komunitet dhe i kanë këto ide e besime. Është shumë me rëndësi që me u marrë me këtë të rinj dhe me i bë me e kuptu që ata kanë hy në njëfarë balloni që nuk po munden me dalë.”– ka deklaruar Kelmendi.

Skender Perteshi, nga Instituti Prevent konsideron se gjatë kohës së zgjedhjeve ka pasur thirrje të llojit: “Mos votoni për njerëz të korruptuar”, “ Mos votoni për shtetin sekular”, “Mos iu bindni ligjve të tjera pos ligjeve të Allahut”.

Në anën tjetër, Vesa Kelmendi ka thënë se ekstremistët e djathtë kryesisht kanë targetuar të rinjtë.

“Edhe narrativat që janë përdorur kanë qenë: ‘faqezinj’, ‘kufar’, ‘qafira’. Këto janë terminologji të cilat njihen në komunitetin më të gjerë mysliman si fjalët më të rënda. Ka pasë uebsite që kanë pasë libra të shumtë që nuk kanë qenë të kontrolluara e ku ka pasë terminologji të ndryshme në to përse nuk duhet votuar. Pastaj, ka pasur edhe fletushka online, pse nuk duhet votuar. E di që edhe në Maqedoni [të Veriut], në disa komuna, shpesh dërgohen edhe fletushka para zgjedhjeve: ‘Mos votoni se është haram’ ose diçka e tillë. Unë mendoj që është e gabuar, sepse ne duhet vazhdimisht të punojmë në kundër-narrativa dhe t’i tregojmë komunitetit pse është e rëndësishme të votohet”- ka deklaruar ajo.

Kelemndi ka shtuar se disa parti po e “shfrytëzojnë” islamin për të shtyrë përpara agjendat e tyre.

Sipas saj, në zgjedhjet e fundit në vend, ka pasur raste kur deklaratat e Presidentit amerikan Donald Trump, janë marrë jo gjithmonë ashtu siç duhet ose në kontekstin që është thënë, dhe më pas janë përdorur për agjenda të brendshme.

“U janë referuar si diçka që po e thot Amerika, po e thot Trumpi, dhe po e themi edhe ne, sepse edhe ne besojmë. Sidomos kjo ka qenë për komunitetin LGBT. Një deklaratë tjetër që mua më ka bërë shumë përshtypje, ka qenë edhe diskutimi i disa liderëve të partive politike, të cilët kanë dalë dhe kanë folur për rolin e IVF-së (Fertilizimit In Vitro), pse është i dëmshëm, dhe gjëra të tilla që i konsideroj që kanë qenë totalisht dezinformuese.”– thekson Kelmendi.

Nga viti 2008 deri në vitin 2015, sipas Burim Ramadanit ka qenë reagimi dhe ndikimi më i zëshëm.

Që nga zgjedhjet zgjedhjet e vitit 2000 në Kosovë, Serbia dhe Rusia kanë tentuar që t’i delegjitimojnë ato, t’i shpallin joligjore e të padrejta.

Enver Hoxhaj, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës ka thënë se pjesë e luftës hibride nga Rusia e Serbia ka qenë gjithmonë që të sabotohet pjesëmarrja e komunitetit serb në institucionet e Kosovës.

“Serbët dhe rusët, si pjesë të luftës hibride – sikurse po shihet se çfarë po ndodh aktualisht në Ukrainë – e kanë pasur [si objektiv] që asnjëherë komuniteti serb në Ballkan mos ta pranoj autoritetin e institucioneve demokratike që del nga vullneti i gjithë qytetarëve që jetojnë në atë vend, duke përfshirë edhe vullnetin e vetë komunitetit serb”- ka deklaruar Hoxhaj.

Ai konsideron se kjo mbetet sfida kryesore në vend.

“[Aleksandar] Vuçiqi si ministër i propagandës përmes mediave të ndryshme në Serbi, jo vetëm që ndërhyn në veri të Kosovës, por edhe e mban pushtetin e tij brutal në Serbi, nga 2013 e deri më sot.”– ka shtuar ai.

Burim Ramadani, ka ndarë luftën hibride të Rusisë dhe dezinformatat e saj për Kosovën, në tri frekuenca.

“Frekuenca e parë parë është ajo që lidhet me opinionin publik ndërkombëtar, sidomos perëndimor, në lidhje me të vërtetën e Kosovës. Pra, e shtrembëron të vërtetën e Kosovës në Perëndim për të arritur opinionin publik në Perëndim, me synimin që të arrijë në një shkallë kur Perëndimi në një farë forme bie pishman, pra e gjykon veten pse ka intervenuar në Kosovë”- ka thënë ai.

Sipas tij, frekuenca e dytë e shtrembëron të vërtetën para vendeve të tjera të botës.

“Sikur Kosova është një territor i pushtuar nga NATO dhe është ndërhyrje jo-legale, jo-legjitime, me qëllime krejtësisht politike dhe shkelje të sovranitetit të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, në mënyrë që i tërë projekti i ekzistencës së Kosovës të lidhet me atë që ata e quajnë ‘enklavë kriminale’ dhe ‘territor i pushtuar nga NATO’”- shpjegon Ramadani.

Frekuenca e tretë e dezinformatës ruse, sipas tij ka të bëjë me aspektin rajonal dhe brenda vet Kosovës

Fabrikimin e dezinformatave, ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Lutfi Haziri konsideron se Serbia e ka përdorur dhe e përdor gjithmonë karshi Kosovës, për të synuar destabilizimin e Kosovës dhe për ta bërë vendin burim të destabilizimit.

“Ju e keni dëgjuar për shumë vite që në Kosovë është përdorur si njëra prej sigurive dhe garancioneve më të mëdha që faktori politik shqiptar e ka dhënë, është që Kosova si shtet i pavarur dhe sovran ka me qenë burim i stabilitetit.”- ka thënë Haziri.

Ai ka shtuar se Kosova ka qenë nën kërcënim të propagandës gjithmonë, kjo duke tentuar të shfaqet Kosova si vend jostabil, me politika të këqija e që njerëzit nuk mund të bëhen bashkë për asgjë.

“U dëshmua tash edhe me ambasadorin Chris Hill në dëshminë në Hagë, ajo që Millosheviqi e ka pasqyruar që ‘çkado që bëni ju shqiptarët s’bëni bashkë për kurrgjë’. Realisht kjo ka qenë ajo tendenca gjithmonë e cila ka ndërtuar dhe ka detyruar politika kundra shqiptarëve duke i mbajt përçarë, jo bashkëpunues, të fragmentuar deri në fund dhe me mjete të propagandës, gjithmonë kanë synuar që me na mbajt përçarë dhe me i mbërri qëllimet e tyre.”– ka shtuar Lutfi Haziri.

Vlora Çitaku, ish-ambasadore e Kosovës në SHBA, ka thënë se në faza të ndryshme ka pasur thirrje për bojkotim të zgjedhjeve në Kosovë. E gjithë kjo, sipas saj, me synimin që të bojkotohet vet shteti dhe legjitimiteti i procesit zgjedhor.

“Kam përshtypjen që edhe presioni ndërkombëtar në muajt e fundit e ka dhënë efektin e vet. Kjo nuk do të thot që Serbia nuk do të përpiqet që të përdorë metoda të tjera për të ndikuar, qoftë në rezultatin e procesit zgjedhor brenda komunitetit serb, qoftë në përçarjen e shoqërisë kosovare në përgjithësi”– tha Vlora Çitaku.

Kryeshefi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Adnan Merovci, si udhëheqësi i parë i këtij institucioni ka thënë se fillimisht tentohej që të krijohej një mosbesim në KQZ, duke synuar që zgjedhjet të paraqiteshin si farsë.

“Definitivisht këtu rolin kryesor e ka pasur Departamenti i zgjedhjeve në kuadër të OSBE-së, që ka qenë themelues i trupit tonë dhe administratës për zgjedhje, në krye të së cilës u nominova unë me një konkurs të hapur. Por, këtu duhet definitivisht poenat dhe meritat t’ia përkatësojmë drejtorisë dhe udhëheqësve të departamentit të zgjedhjeve që ishin nën amerikanët. Domethënë dhe amerikanët ishin ata që hartuan plane për trajnimin tonë”- ka thënë Merovci.

Ai ka shpjeguar se si KQZ për pak muaj u shndërrua në një prej trupave me njohuritë më të avancuara në Ballkan dhe se zhvilluan bashkëpunime me KQZ-të e Sllovenisë, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë e Shqipërisë.

“Bile-bile kemi pasur tendenca dhe s’mundëm me arrit, por u patëm afruar edhe me KQZ-në e Serbisë në një farë mënyre. Ku ne me pikëpamjet tona, me paraqitjet tona, me përgatitjet tona ramë në sy si faktor shumë i rëndësishëm.”– ka thënë Merovci.

Beesueshëria në institucione është rreziku më i madh për një republikë në shtetndërtim, kështu ka konsideruar Lutfi Haziri, tanimë nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Nenad Rashiq, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës ka shpjeguar se gjatë një periudhe kohore, drejtori i zyrës së Rusisë në Kosovë ishte aktiv në aktivitete të ndryshme, veçanërisht në komunat me shumicë serbe.

“Me siguri që ka pasur ndonjë kontribut në aspektin politik për çështje të ndryshme edhe pse në apektin ekonomik nuk kanë qenë përkrahës të shumë të eventeve ku kam qenë unë. Megjithatë, prezenca e tij ka qenë e qëndrueshme, në vazhdimësi. Nuk e shoh që kanë mundur të ndikojnë, pasi që, t’ju them të vërtetën, unë nuk kam pasur raste të tilla”- ka thënë Rashiq duke shtuar se prezenca e tij ka qenë më shumë simbolike se operacionale.

Deezinformatat e narrativat e veta kundër Kosovës, Rusia e Serbia i kanë shfaqur shumë shpesh në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka thënë se thelbi i narrativës serbe është që ‘Kosova është shtet i përkohshëm’, i supozuar të dështojë dhe të mos ekzistoj.

“Prandaj edhe rrëfimi ynë, diskursi ynë në mbledhje të Këshillit të Sigurimit, ka qenë puro pro-perëndimor, duke ju treguar se cilat kritere, cilat standarde dhe çfarë suksesi ne kemi bërë gjatë këtyre viteve të fundit.”– ka deklaruar Hoxhaj.

Çitaku nga ana tjetër, ka shpjeguar se ka pasur situata në Këshill të Sigurimit që kanë shkuar deri në banalitet.

“Kriminaliteti ordiner – ta zëmë, nëse dikush i ka vjedhur paratë, një hajdut ka hyrë e ka vjedhur paratë në një kishë, është munduar që të portretizohet si sulm etnik. Ose, për shembull, nëse ka ndodhur një aksident trafiku diku, sërish është munduar që të portretizohet si sulm etnik.”- ka rrëfyer Çitaku.

Krejt kjo, sipas saj, ka ndodhur që shoqëria kosovare të portretizohet si jotolerante, që i urren dhe refuzon ata që nuk e flasin gjuhën e njëjtë, që nuk duken njësoj e që nuk i luten të njëjtit kult.

“Pra ka pasur përpjekje të shumta, të vazhdueshme, por të cilat janë thënë paturpësisht. Janë thënë paturpësisht, publikisht në një forum të respektuar siç është ai i Këshillit të Sigurimit të OKB-së.”– ka treguar Çitaku.

Përveç dezinformatave direkte për Kosovës, Rusia ndikon edhe në marrje të informacionit për raste të tjera.

Norik Selimi nga Pikasa, ka treguar për informacionet që merren për luftën Rusi-Ukrainë.

Ai ka treguar se 42-43% e këtyre informacioneve vijnë nga burime kredibile, por diku 53-54% të informacioneve nuk u dihet fare burimi. Pjesa tjetër janë edhe zyrtarisht me burim nga Rusia.

“Lufta e Ukrainës ka pasur impakt negativ ekonomik edhe në Kosovë, për X arsye: ngritja e çmimeve, vështirësimi i importit-eksportit të mallrave e të tjerë, dhe të gjitha këto në Kosovë rreth zgjedhjeve janë paketuar si dëme të cilat po shkaktohen në ekonominë e Kosovës…”- ka thënë Selimi.

Nenad Rashiq, ka rrëfyer përballjen e tij personale me dezinformatat që vijnë nga Serbia, me theks të veçant me dezinformatat që vijnë nga mediat e kontrolluara nga partia e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Jo vetëm në formën votoni apo mos votoni, por deri te stigmatizimi: ‘Ky Rashiqi është njeriu më i keq, është tradhtari i klasës së parë, e ka bërë kështu e kështu. Ai nuk është as njeri, nuk është as serb, e ka ndryshuar fenë’. Njerëzit normalë nuk e pranojnë, por problemi është që kur bombardoni për çdo ditë me deklarata që bëjnë Vuçiqi, Petkoviqi, apo Lista Serbe, është i njëjtë me modelin e njëjtë. Ju në një moment, duhet ta shikoni nga këndvështrimi i një pensionisti aty, i cili po shikon për çdo ditë, për 24 orë, Pinkun dhe Informerin. Normale që ka ndikim”- ka thënë Rashiq.

Tijana Uzelac, nga BIRN Serbia ka thënë se burimet kryesore të dezinformatës në Serbi janë nga akterët politik por se qytetarët i marrin ato më së shumti nga mediat.

“Njerëzit e thjeshtë nuk e dinë se si jetojnë serbët në Kosovë përveç nëse kanë kontakt të drejtpërdrejt me njerëzit, me serbët, shqiptarët dhe nacionalitetet tjera që jetojnë në Kosovë. Kështu që dikush që jeton në Serbi nuk e ka një pasqyrë të qartë se si është jeta në Kosovë. Nuk janë të njoftuar për jetën e njerëzve që vijnë nga Kosova të cilët e kanë kaluar tërë jetën e tyre këtu. Kështu që kjo pasqyrë e tyre shtrembërohet përmes raportimit të mediave në rend të parë. Sepse, nëse bazohen vetëm në media ata nuk do ta kenë një pasqyrë apo informatë të plotë“– ka thënë Tijana Uzelac.

Maria Popoviq, gazetare nga Serbia ka thënë se në Serbi, informatat janë të njëanëshme.

“Në çfarëdo rasti, ajo që plasohet në Serbi, bëhet për nevojat e një numri sa më të madh të votuesve. Këtë mund ta them lirisht. Ky pra është narrativi se serbët kurrë nuk kanë faj për asgjë, që gjithmonë fajtor është dikush tjetër dhe kjo mua personalisht nuk më pëlqen”– ka thënë Popoviq.

Norik Selimi nga PIKASA ka thënë se në vendet si Kosova e Shqipëria, që nuk janë proruse, ndikimi rus nuk shkon në promovimin e vlerave ruse por tenton të vendos dyshim ndaj perëndimit.

“Pastaj me kalimin e kohës- derisa në shtete të tjera ku ka edhe terren të përshtatshëm për të shtruar ndikimin rus krahas atij antiperëndimor- aty përdoren edhe metoda të ndryshme emocionale të propagandës ruse për të sjellë një ndikim rus”– ka thënë ai.

Gjatë zgjedhjeve në Kosovë, polarizimi i shoqërisë konsiderohet se është përdorur për të sulmuar zgjedhjet dhe kredibilitetin e tyre.

Rrezata Delizbashqe Krasniqi nga Demokracia për Zhvillim, ka thënë se gjuha e urrejtjes e përdorur nga politikanë i nxit qytetarët që të bëjnë komente negative.

“Kemi vërejtur që në raste të caktuara, një kandidat apo kandidate nuk e bën shkrimin duke shpërndarë gjuhë të urrejtjes në Facebook, mirëpo të njëjtën e thotë gjatë fushatës në një tubim në një qytet të caktuar, të cilën pastaj e shpërndan edhe në rrjetet sociale. Qoftë e shkruar apo e thënë me zë, gjuha e urrejtjes është e shpërndarë, dhe kjo i nxit qytetarët që të bëjnë komente negative”- ka shpjeguar Rrezarta Delizbashqe Krasniqi.

Ajo ka ngritur si shqetësim edhe çështjen se vetëm 35% e kandidaturave për Kuvende Komunale në zgjedhjet e fundit lokale në vend, ishin gra. Teksa po ashtu për kryetare të komunave kanë qenë vetëm 20 gra, e prej të cilave vetëm njëra, nga komuniteti serb, u zgjodh kryetare.

Burim Ramadani ka thënë se gjatë zgjedhjeve, dezinformatat kryesisht u orientohen votuesve dhe grupacioneve politike që të thellojnë përçarjen.

“Normalisht, predispozitave shoqërore që i ka Kosova, për shkak të numrit të partive por edhe të komunitetit serb këtu, depërtimi i dezinformatave tek komuniteti serb është më i qëllimshëm dhe më i mundshëm, edhe për shkak të gjuhës, edhe për shkak të qëndrimeve politike”– konsideron ai.

Norik Selimi ka treguar se ndonëse ata që bëjnë propagandë mund të kenë edhe incentiv financiare, ai nuk është motivi kryesor.

“Ka raste edhe në Maqedoni të Veriut, të sponsorëve kinezë të mediave për arsye ekonomike. Po nuk besoj që financimi i kësaj industrie e jep impaktin kryesor. Impaktin kryesor e jep 9 % nga formula 1-9-90. Pra, ku 1% janë këta që e ideojnë ideologjinë e propagandës. 9% janë entuziastët të cilat i besojnë dhe pastaj shpërndajnë pa shumë incentiva dhe pa shumë motivim. Pra, rreziku më shumë është te ky 9% i cili bën shpërndarjen pa e pasur ndonjë interes direkt”- ka thënë Norik Selimi nga PIKASA.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Nenad Rashiq teksa ka folur për burimet e financimit të dezinformatave, ai ka thënë se për të është e qartë.

“Burimi i financimit për mua është i qartë dhe vjen nga strukturat që ju përmenda më herët, të cilët definitivisht vijnë nga radhët e SNS-it (Partia e Vuçiçit) në këtë rast. Këta të Listës Serbe janë përçues lokalë. Deputetët nuk guxojnë, ose Beogradi nuk i lejon, që të bëjnë asnjë deklaratë”– tha Nenad Rashiq.

Selimi në anën tjetër ka treguar për kanalet kryesore të ndikimit.

Ai ka thënë se njëri nga kanalet e ndikimit është sponsorizimi direkt i mediave.

“Studime të ndryshme kemi bërë ne, keni bë edhe ju besoj shumë studime të tilla, dhe këtu gjenden ato lidhjet financiare të bizneseve të ndryshme, të cilat lidhen direkt apo indirekt me Rusinë dhe këto janë kanale të sponsorizuara, të cilat dihet se bëjnë një ndikim”- ka spjeguar ai.

Shumë të rrezikshme e ka konsideruar kanalin e propagandës që bëhet me bindje.

“Ata fillimisht gjejnë formën të indoktrinojnë, qoftë të rinjtë, qoftë shtresa të ndryshme sociale, organizata të ndryshme qytetare, organizata sportive, çkadoqoftë, dhe pastaj e përhapin më tutje propagandën me bindje. Dhe kjo formë gjendet te një pjesë shumë e madhe”- ka shtuar Selimi.

E forma tjetër, sipas tij, është ndikimi i bizneseve që kanë lidhje direkte apo indirekte me Rusinë.

– Ky material është realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë përmes financimit nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar; megjithatë, pikëpamjet e shprehura nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikat zyrtare të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Shija e redaktorit

Shkolla “Ismail Qemali” anëtarësohet në UNESCO Education Charter Club

Shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë ka marrë konfirmimin zyrtar për themelimin e “Ismail Qemali UNESCO Education Charter Club”, duke...

“Dita e Forcës”, kazermat e FSK-së të hapura për qytetarët

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, me rastin e Ditës së Forcës, sot duke filluar nga ora 09:00 deri në ora...

Enise Zijade, vajza tjetër e argjendtë e Kosovës

Xhudistja kosovare Enise Zijade ka shkëlqyer sot në Podgoricë, duke u renditur e dyta dhe duke siguruar medaljen e argjendtë. Ajo nisi garën me një...

Të fundit nga rubrika