Dhjetëra jetë të shpëtuara në 25 vjet punë si zjarrfikës

Për 25 vjet me radhë, pothuajse për çdo ditë, Blerim Gashi del në punë me të njëjtin vullnet sikurse në ditët e para si zjarrfikës, kur me raste, për shkak të merakut për punë, nuk e shfrytëzonte as pushim vjetor. Në një bisedë me TV Dukagjini ai ka rrëfyer për rastet më ekstreme, nga ato me fatalitet e tek ato ku kanë shpëtuar shumë jetë njerëzish, me raste një dhomë të mbushur me të moshuar që nuk mund të lëviznin nga vendi pa ndihmën e tyre.

Blerim Gashi për një periudhë ka jetuar jashtë Kosovës, ndërkaq gjatë pushimeve në Kosovë, menjëherë pas luftës hasi në një konkurs të hapur për zjarrfikës.

Ekonomikisht por ndoshta edhe në aspekte të tjera, sikur ta vazhdonte jetën në kurbet, është i vetëdijshëm se do të ishte më përpara, por prapë nuk shprehet i penduar për profesionin e zgjedhur.

“Më 2024 ka qenë një intervenim që më ka mbetur dhe kam thënë se unë e kam përmbushur misionin tim si zjarrfikës, zjarri në shtëpinë e pleqve në Prishtinë, iu kemi shku në ndihmë kolegëve të stacionit tjetër, dhe ne duke mendu se njerëzit janë evaku, e kam hapë rastësisht njerëzit, kanë qenë të palëvizshëm edhe nuk të ka thënë asgjë nuk ka bërtit, as kurgjo, vetëm të ka kqyr, edhe ne e kemi bërë të pamundshmen për me i shpëtu, ata kanë qenë në prag të vdekjes. Sa njerëz kanë qenë? Tash numrin nuk e di, por shumë kemi bo mund sepse shumica ishin të palëvizshëm”, tha Gashi për Dukagjinin.

Krahas momenteve kur e ndjenjë lavdinë e punës, ka edhe raste të dëshpërimit e mërzisë, atëherë kur asnjë përpjekje nuk shpëton jetë e nuk ka sukses.

“Tash kohën e fundit ke një aksident komunikacioni këtu në periferi të Prishtinës, edhe pse aty ishin edhe njësia urgjente e bën të pamundurën për me shpëtu një person po ishte e pamundur. Kjo ndikon keq, sidomos kur janë fëmijët, shumë e përjeton rëndë, po nuk kemi çka me bo. E kemi pasur edhe para disa viteve në liqe, fatkeqësisht tre veta patën vdekur ishte e pamundur me intervenu sepse kishin ra në thellësi 5 metra në ujë”, tha Gashi.

Gashi thotë se më të së shumti të zhgënjyer ndjehen me sjelljen e keqe që shpesh e marrin nga pronarët e shtëpive dhe bizneseve kur nuk arrijnë t’ua mbrojnë pronën nga fatkeqësitë, përkundër përpjekjeve.

“Në vitin e kaluar e kemi pasur një intervenim shumë të koklavitur edhe për një moment aty jam dorëzu thash koka fundi për mua, përfundoi gjithçka edhe thash mbeta i ngujuar humbi lidhja me jashtë edhe thash koka shkru këtu me përfundu. Por kolega prapa më dha motiv, edhe prap kam vazhdu edhe prap e kam gjetë rrugën me dalë jashtë, por kur kam dalë jashtë kam dalë pa ndjenja besom që atë ditë ka qenë mbrëmje, të nesërm gjithë ditën e kam pasë në mendje mos me ardhë me vazhdu më punën se ka qenë, shumë rrezik për jetë bashkë me kolegun tjetër”, tha ai.

Gashi thotë se asnjëherë, në asnjë intevenim nuk kursehen, duke e rrezikuar edhe jetën e tyre vetëm e vetëm që ta ruajnë jetën dhe pronën e qytetarëve.

Për institucionet që i kanë në dorë vendimet që i prekin zjarrfikësit si për kushtet e punës si për pagat, Gashi bën apel që të ketë ndryshime për mirë, ndërkaq gjeneratave të reja iu bënë thirrje që profesionin e zjarrfikësit ta shohin si punë fisnike dhe punë që të bën krenar.

Të fundit nga rubrika