Dialogu – “garanci në këmbim të liberalizimit të vizave”

Vizitat e shpeshta të zyrtarëve të nivelit të lartë të shteteve perëndimore, procesi i dialogut Kosovë-Serbi dhe çështja e liberalizimit të vizave, janë disa nga temat e trajtuara, të cilat po konsiderohen shenja të seriozitetit të politikës së jashtme

Ilustrim

Kohëve të fundit, në Ballkanin Perëndimor, në veçanti në Kosovë e Serbi, janë shpeshtuar vizitat e zyrtarëve të nivelit të lartë të vendeve perëndimore.

Këto vizita, sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, po konsiderohen shenja të seriozitetit të politikës së jashtme.

Ato tregojnë rëndësinë që e ka marrë Ballkani Perëndimor në agjendën e vendeve të BE-së, dhe konfirmojnë vëmendjen e BE-së ndaj rajonit në tërësi.

Shqiprim Pula, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka thënë se ardhja e përfaqësuesve shtetërorë dhe atyre institucionalë, siç është Unioni Evropian së fundmi, tregon rëndësinë e një mori temash të pambylluara në rajon.

“Kosova ka nevojë më shumë se kurdoherë që të presë ardhjen e zyrtarëve të lartë, si domosdoshmëri e ndryshimeve të gjeopolitikës evropiane dhe domosdoshmërisë së mbylljes së shumë temave që kanë të bëjnë me Kosovën dhe fqinjët e saj, specifikisht me atë verior”, tha Pula për Portali D.

Shqiprim Pula njohës i Marrëdhënieve Ndërkombëtare

Ashtu sikurse vizitat, edhe deklarimet publike të liderëve të shteteve të ndryshme janë fokusuar në normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.

Ndonëse ka më shumë se 11 vjet që po zhvillohet dialogu midis dy vendeve fqinje në Bruksel, Kosova vazhdon të insistojë në njohjen e ndërsjellë, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë vizitës së tij më 10 qershor në Kosovë, kishte deklaruar se marrëveshja përfundimtare duhet të zgjidhë njohjen e çështjes së Kosovës.

Edhe presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, gjatë vizitës së tij në Prishtinë kishte theksuar se institucionet e Kosovës duhet të fokusohen në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në të kaluarën.

Ndonëse rifillimi i dialogut dhe arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë është i një rëndësie të madhe për të gjitha palët, Emir Abrashi, njohës i politikës së jashtme, ka thënë për Portali D, se “këto vizita konsiderohen si presion ndaj palëve, për t’u treguar serioze dhe konstruktive në këtë proces”.

Në anën tjetër, Dritëro Arifi, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka theksuar për Portali D se, një nga porositë e dhëna nga zyrtarët e lartë të vendeve të BE-së, është avancimi i Kosovës në të gjitha drejtimet.

Dritëro Arifi, Profesor i Marrëdhenieve Ndërkombëtare

Të njëjtin qëndrim, që dialogu duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë e ka thënë në Kosovë edhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg.

Ndërkaq, për herë të parë, lidhur me raportin midis Kosovës dhe Serbisë është deklaruar edhe Parlamenti Evropian, i cili ka përfshirë një amendament, në të cilin thuhet se baza e marrëveshjes për normalizim gjithëpërfshirës duhet të jetë njohja e ndërsjellë.

Liberalizimi i vizave – Viti “vendimtar”

Për Arifin, çështja e vizitave ka të bëjë edhe me një nga temat e mbetura pezull, siç është liberalizimi i vizave.

Derisa thotë se kjo temë po merr momentumin e duhur, nga këndvështrimi i tij, disa vende të BE-së edhe po lobojnë që kjo çështje të largohet nga agjenda politike.

“Të mbyllet në njëfarë mënyre, sepse disa vende të BE-së po dëshirojnë të tregojnë një lidership me këtë çështje. Pra edhe BE të marrë përgjegjësi për premtimet që jep sepse Kosova i ka përmbushur standarded, në momentin që Parlamenti Evropian e ka pohuar këtë. Atëherë kjo çështje do të jetë në agjendë të politikanëve të BE-së që ta mbyllin këtë proces”, tha Arifi për Portali D.

Sipas tij, ky vit mund të jetë vendimtar.

“Nuk do të thotë që këtë vit të largohen apo jo, por një vendim i rëndësishëm do të merret këtë vit, për largimin ose jo në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm”, tha ai.

Ilustrim

Ndonëse nga Franca “ka shenja optimiste” në këtë rrugë, sa i përket skepticizmit të kahershëm francez rreth çështjes së lirisë së lëvizjes për kosovarët, ende nuk ka asgjë me siguri.

“Nëse e kemi Francën me një po të madhe, atëherë besoj që edhe kjo çështje nuk do të ketë ndonjë problem”, shtoi Arifi.

Është ritheksuar disa herë se Republika e Kosovës i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave në vitin 2018, atëherë kur edhe e ka marrë rekomandimin nga Komisioni Evropian për liberalizim të vizave.

Për Emir Abrashin, që nga viti 2018, BE-ja është e vonuar në këtë proces.

“Zyrtarët e BE-së nuk mund të presin nga pala kosovare që t’iu besojë premtimeve të tyre, përderisa ata vetë nuk e kanë respektuar premtimin e dhënë Kosovës”, tha Abrashi për Portali D.

Emir Abrashi – Njohës i diplomacisë

Duke marrë parasysh stagnimin në procesin e dialogut dhe atë të integrimit, Abrashi beson se është koha që BE të ofrojë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Nëse dëshiron që të shihet si palë e besueshme në ndërmjetësimin e dialogut, Kosova i ka përmbushur dyfish më shumë kritere sesa të gjitha vendet e rajonit për liberalizimin e vizave”.

Sipas tij, çdo kushtëzim shtesë në këtë aspekt do të ishte i padrejtë.

Megjithatë, ai ka potencuar se Kosova mund të kushtëzohet në aspektin e seriozitetit dhe konstruktivitetin në dialog, “gjë për të cilën BE-ja mund të kërkojë garanci në këmbim të liberalizimit të vizave”.

Njësoj mendon edhe Shqiprim Pula, i cili ka thënë se Kosova nuk do të duhej të kushtëzohej mëtej, lidhur me heqjen e regjimit të vizave, sa i përket përmbushjes së të gjitha kritereve.

Mosnjohja nga 5 shtetet e BE-së

Pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën janë Spanja, Rumania, Sllovakia, Qipro dhe Greqia.

Por, kjo sipas Arifit, nuk paraqet problem.

“Sepse aty votohet me shumicë të thjeshtë, nuk ka nevojë që të gjitha vendet të jenë pro, në këtë votim nuk kërkohet unanimitet. Besoj që në këtë pikë Kosova i ka votat në aspektin teknik, por në atë politik ka ende hezitime sidomos Franca”, shtoi Arifi.

Ndërsa, sipas Abrashit, mosnjohja nga pesë vende të BE-së është treguar sfidë për Kosovën, dhe do të vazhdojë të mbetet e tillë në cilindo proces të integrimit të Kosovës.

“Megjithatë, në aspektin e liberalizimit të vizave, bllokada nuk ka ardhur nga ana e shteteve mosnjohëse, bllokada ka ardhur nga dy shtete njohëse të Kosovës si Franca dhe Holanda. Diplomacia kosovare ka dështuar që të punojë me aleatët e vet, për të siguruar mirëbesim në këtë proces”, shtoi Abrashi.

Ndërkaq, për Pulën, mungesa e njohjeve nga pesë vendet anëtare të BE-së, mungesa e njohjes nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina si shtete në rajon si dhe mungesa e politikave për një fqinjësi normale dhe bashkëpunuese paraqesin barriera serioze e të mëdha në rrugën e Kosovës për anëtarësim në UE.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim të vizave me BE-në.

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se ka plotësuar çdo kriter nga gjithsejtë 95, sa i ka vendosur BE-ja në udhërrëfyesin për liberalizim.

Megjithatë, procesi është penguar vazhdimisht nga disa shtete anëtare të BE-së, sidomos Franca, e cila ka shprehur rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Rikujtimin se liberalizimi i vizave për Kosovën është vonuar dhe se duhet të ndodhë pa vonesa e ka bërë edhe Parlamenti Evropian, përmes raportit për Kosovën.

Në këtë raport është kërkuar nga vendet anëtare në Këshill që “me urgjencë” të ecin drejt miratimit të regjimit pa viza për qytetarët e Kosovës.

Po ashtu, është thënë se vonesat e reja në këtë drejtim, do të dëmtojnë besueshmërinë e BE-së dhe reputacionin e saj si partner i besueshëm.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka qenë më e drejtpërdrejtë në kritika, duke bërë me gisht kah Franca dhe Holanda.

“Koha për miratimin e vendimit është tash”, kishte thënë von Cramon.

Ndryshe, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka bërë thirrje BE-së që urgjentisht t’i liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.

Në Samitin e krerëve të shteteve të Evropës Juglindore (SEECP), Osmani e ka quajtur padrejtësi mosliberalizimin.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika