Prizreni duket se po bëhet epiqendra e kontestimeve të votave për deputetë, pasi rinumërimi zbuloi mungesa të mëdha të votave.
Minus mijera vota u panë, për disa kandidat të Partisë Demokratike të Kosovës e listës i prinë Fetah Paqarizi, pastaj Nait Hasani, Kujtim Gashi e Luljeta Veselaj Gutaj. (Foto1)
Krejt kjo situatë nuk kaloi pa e vënë re edhe institucionit e drejtësisë.
Hapat e parë i ka marr Prokuroria Themelore në Prizren që ka nisur hetimin e këtij procesi.
“Si institucion i Prokurorit të Shtetit, kemi monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore. Tani që rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit. Në këtë drejtim, sot, në cilësinë e kryeprokurorit me vetiniciative kam lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet. Çdo person që ka vendosur nënshkrimin e tij duke falsifikuar rezultatet zgjedhore dhe duke ndryshuar vullnetin e qytetarit, nuk duhet të qëndroj i qetë, do të mbajë përgjegjësi të plotë penale. Manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore janë krim dhe do të ndëshkohen pa kompromis”, ka deklaruar Petrit Kryeziu – Kryeprokuror i Prokurorisë në Prizren.
Në ndëkohë, edhe gjatë së dielës ka vazhduar rinumrimi në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, e që deri më tash ka përfunduar në 19 komuna e që gjatë ditës pritet të përfundojë edhe në komunën e Prizrenit.
Ndërkohë që vënie para përgjegjësisë për të gjithë ata që e kanë bërë këtë kërkon, avokati Ardian Bajraktari.
“Kemi të bëjmë me vepra penale që lidhen me keqpërdorimin e votës në rrethanat e rastit konkret vlerësoj se organet e zbatimit të ligjit përkatësisht prokuroria duhet të fillojë sa më parë hetimet në këtë proces për faktin se ka dyshime në bindjen time të mjaftueshme për ta filluar procesin në drejtim të veprës penale të falsifikimit të rezultatit zgjedhor, dhe procesi hetimor duhet me zbardh situatën se si ka ardh deri ky rast, a ka pasur involvim përtej komisionerëve përfshirë edhe kandidatët që kanë qenë në listë zgjedhore”, ka deklaruar Ardian Bajraktari – Avokat.
E analisti Dorajet Ymeri thotë se e gjithë kjo situatë mund të ndikojë në vonimin e krijimit të institucioneve cka nuk do duhej të ndodhte.
“Kërkohet menjëherë nga institucionet e drejtësisë që të zbardhet kjo strukturë do ta quaj që e ka keqformuar vullnetin politik të qytetarëve përmes numrimit të fabrikuar të rezultatit, konsideroj se KQZ duhet sa më shpejtë që të jetë e mundur të shpallë rezultatet përfundimtare dhe të certifikojë ato në mënyrë që të jetësohen institucionet e Kosovës, sepse kemi filluar që gradualisht të shkojmë në limitet më ekstreme”, ka deklaruar Ymeri.
Përveç në PDK, edhe në LDK-në disa nga kandidatët humbën mijëra vota, Xhavit Uka e Driton Selmanaj.
Sipas votave të rinumëruara deri më tani, jashtë Kuvendit mbetet ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damkën, nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, meqë i janë hequr mbi 60 vota.
