
Ministrja serbe thotë troç se do ta pastronte etnikisht Kosovën nga shqiptarët vetëm po të mundej. Dhe ky avokim kaq i gnushtë publik i pastrimit etnik kryesisht pritet me heshtje nga opinioni publik, me përjashtim të dënimit të qetë nga disa individë, një pjesë e opozitës dhe lëvizja studentore.
Një fjali ndonjëherë zbulon një filozofi të tërë politike dhe ideologji shtetërore. Gjatë ftesës në televizionin famëkeq serb Kurir, ministrja e administratës shtetërore të Serbisë, përndryshe kuadër e SPS-it, Snezhana Paunoviq, deklaroi se po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta pastronte etnikisht Kosovën.
Shpjegimi i saj i mëvonshëm tingëllonte po aq rrëqethës.
Shqiptarët, thotë ajo, nuk do të vriteshin sepse janë shqiptarë, por do të duhej të largoheshin nga vendi nëse nuk ndihen qytetarë të Republikës Federale të atëhershme të Jugosllavisë, ndërsa ata që shpallen terroristë do të likuidoheshin. Kështu u shpreh ajo që mund të quhet strategja kryesore e Millosheviqit për pastrim etnik, një “Hitlerkë e vogël” në qeverinë e Serbisë, dora e djathtë e Ivica Daçiqit.
PASTRIMI ETNIK I “MIRË” DHE I VJETËR
Fjalët kanë peshën e tyre. Shprehja “pastrim etnik” nuk i përket folklorit politik, as senzacionalizmit televiziv. Ajo mbart imazhe të fshatrave të djegura, kolonave të refugjatëve, varrezave masive dhe kamionëve frigoriferikë. Në të drejtën ndërkombëtare, në historinë e Ballkanit dhe në kujtesën kolektive të Evropës, kjo shprehje nënkupton dëbimin sistematik të njerëzve për shkak të identitetit të tyre.
Pikërisht këtë shprehje e përdori ministrja e shtetit që, gjoja, pretendon se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është qëllimi i saj strategjik. Edhe më shqetësuese se vetë deklarata është fakti se ajo nuk shkaktoi tërmetin politik që do të duhej të shkaktonte.
Nuk pati asnjë reagim serioz, përveç kërkesave të turpshme për shkarkimin e saj:
* Organizatat qytetare, pjesa pro-evropiane e opozitës dhe një pjesë e sektorit jo-qeveritar kërkuan, me të drejtë, shkarkimin e saj.
* Reagoi Komisioni Evropian.
* Nga Prishtina erdhi një mesazh i qartë se fjalë të tilla konfirmojnë se Serbia nuk është ndarë kurrë me politikën e Millosheviqit.
Dhe pastaj pasoi heshtja. Jo e plotë, por megjithatë mjaftueshëm e zhurmshme.
Pjesa nacional-konservatore e opozitës kryesisht hesht. Pjesa e opinionit publik që prej muajsh prezantohet si alternativë ndaj Vuçiqit papritmas nuk ka asnjë koment. Edhe një pjesë e lëvizjes studentore, e cila me Memorandumin për Kosovën tashmë tregoi refleksin e saj nacionalist, gjithashtu hesht. Pse?
Sepse e dinë mirë që ministrja Snezhana Paunoviq nuk e ka shpikur vetë historinë e pastrimit etnik. Ajo thjesht e ka thënë me zë të lartë.
KOSOVA ËSHTË “E BUKUR”, POR PA SHQIPTARË: BIOGRAFIA E NJË ANKTHI
Sepse pas historisë për Kosovën si “pjesë të patjetërsueshme të Serbisë” fshihet pyetja që askush nuk dëshiron ta shtrojë seriozisht prej dekadash:
ÇFARË DO TË BËHET ME SHQIPTARËT, BANORËT E KOSOVËS?
Kosova nuk është freskë mesjetare. Nuk është këngë epike. Nuk është betim. Kosovën e përbëjnë rreth dy milionë shqiptarë që jetojnë, punojnë, votojnë, shkollojnë fëmijët e tyre atje dhe e shohin të ardhmen e tyre në shtetin e tyre të pavarur.
Çdo politikë që pretendon se Kosova i përket Serbisë e ka për detyrë t’u përgjigjet pyetjes se çfarë planifikon të bëjë me këta njerëz në Kosovë. Përgjigje nuk ka.
Dhe pikërisht për këtë, deklarata e Snezhanës tingëllon si sinqeritet brutal i një regjimi të mbrapshtë që, që nga Rankoviqi e deri më sot, ëndërron ëndrrën e tij. Ndërsa të tjerët zgjedhin me kujdes fjalët, flasin për vende të shenjta, të drejtën historike, Kushtetutën dhe Rezolutën 1244, ajo anashkalon ambalazhin diplomatik dhe shkon direkt te pika përfundimtare e këtij lloj mendimi.
KOSOVA PA SHQIPTARË
Kjo ëndërr tmerri ka një biografi të gjatë.
Që nga Naçertanija e Garashaninit, përmes Memorandumit të SANU-së, e deri tek i lartpërmenduri Rankoviq e politika e Millosheviqit, e njëjta ide qarkullon në “botën serbe”: Toka vlen më shumë se njeriu. Miti vlen më shumë se jeta. Kufiri vlen më shumë se fëmija që mban një “emër të gabuar” dhe flet “gjuhën e gabuar”.
Prandaj, Snezhana Paunoviq nuk është ndonjë incident politik. Ajo përfaqëson produktin logjik të një ideologje dhe rregullin e saj monstruoz. Le të kthehemi disa muaj pas. Vetëm dy muaj më parë, me rastin e memorandumit të “Studentëve në bllokadë” për Kosovën, kam shkruar:
“Teksa njeriu lexon memorandumin e turpshëm të ‘Studentëve në bllokadë’ për Kosovën, nuk e di nëse po dëgjon Vuçiqin, Sheshelin, Dobrica Qosiqin apo programin propagandistik të RT-së të vitit 1991. Mirëpo, studentë, çfarë keni planifikuar të bëni me shqiptarët e Kosovës, me ata rreth dy milionë që nuk duan të jetojnë në ‘çetnik-landin’ tuaj? T’i dëboni, t’i asimiloni apo t’i vrisni? Fatmirësisht askush nuk ju pyet për asgjë, e aq më pak banorët e Kosovës së pavarur.”
Shumë njerëz atëherë pretendonin se po ekzagjeroja. Thoshin se studentët nuk kishin qëllim të keq, se bëhej fjalë për një lidhje emocionale me Kosovën, papjekuri politike apo një përpjekje e ngathtë për të tërhequr votuesit nacionalistë.
Dy muaj më vonë, përgjigjja erdhi nga vetë kreu i pushtetit në Serbi, i cili me sa duket e kuptoi se e vetmja betejë që ia vlen të bëhet me studentët është ajo e nacionalizmit serbomadh. Ministrja Paunoviq tha me zë të lartë atë që në Memorandumin e studentëve mbeti e heshtur po aq zhurmshëm.
Dhe memorandumi i studentëve për Kosovën pikërisht këtë e tregoi: një dokument plot me fjalë të mëdha për territorin, historinë dhe betimin, por pa asnjë fjali të vetme serioze për shqiptarët, popullatën vendase që jeton në atë territor.
Pyetja ime atëherë dhe tani është e thjeshtë:
ÇFARË PLANIFIKONI TË BËNI ME SHQIPTARËT?
A do t’i bindni ta duan një shtet që nuk e duan? A do t’i asimiloni? T’i dëboni? T’i ktheni me forcë nën pushtetin e Beogradit, apo do të pendoheni edhe ju si ministrja që nuk keni qenë strategë të Millosheviqit për pastrimin etnik të Kosovës?
Por duhet ta dini se ndërmjet mitit territorial dhe pastrimit etnik, distanca është shumë më e vogël nga sa dëshironi ta pranoni. Çdo politikë që e shpall tokën të shenjtë dhe njerëzit si pengesë, herët a vonë arrin tek i njëjti mur.
Apo do të pranojë realitetin? Apo do të përpiqet ta eliminojë atë realitet? Kështu që deklarata e ministres Paunoviq: “E tani, për mangësitë tona dhe për budallallëkun tonë: Po të isha unë Sllobodan Millosheviqi, do ta pastroja etnikisht Kosovën në vitin ’98” mund të jetë më në fund konkluzioni i memorandumit të studentëve.
Pikërisht për këtë, fjalia e Snezhanës nuk ra nga qielli, e aj as nuk u nxor nga konteksti. Ajo buron nga e njëjta matricë që ushqehet nga dekada të tëra të programeve shkollore, propagandës televizive, fjalimeve politike dhe miteve kombëtare. Shumica e politikanëve zgjedhin eufemizmat. Ministrja e anashkaloi zbukurimin. Për këtë arsye, deklarata e saj tingëllon më e sinqertë se shumë fjalime boshe, edhe pse ajo është një idiote e pastër.
Në të njëjtën kohë, sigurisht, tingëllon më tmerruese se çdo propagandë. Tingëllon gjenocidale, e frikshme, si kërcënim për shtetin e Kosovës dhe si diçka që nuk është aspak e mirë për serbët e Kosovës që jetojnë atje.
Sepse një peshë të veçantë mban data kur është thënë kjo deklaratë. Kushtojini vëmendje datës: 11 korriku.
Ndërsa rajoni shënon përvjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, një anëtare e Qeverisë së Serbisë flet publikisht për pastrimin etnik si të ishte pastrim i barërave të këqija nga gruri, si një opsion politik i pranueshëm. Simbolika është pothuajse groteske.
Pas një orteku dënimesh, pasoi shpjegimi i pritshëm: Mediat, gjoja, e kanë transmetuar gabim deklaratën. Gjithçka është nxjerrë nga konteksti. Propagandë.
Pastaj në mbrojtje i doli Ivica Daçiq. As këtu nuk ka surpriza. Partia Socialiste e Serbisë (SPS) asnjëherë nuk ka bërë një shkëputje të vërtetë nga e kaluara e saj politike. Kanë ndryshuar slloganet, partnerët dhe dekori, bur burimi i qëndrimit ndaj viteve të nëntëdhjeta ka mbetur i bllokuar midis nostalgjisë dhe relativizimit. Nuk iu nënshtrua lustrimit kur duhej, dhe kanceri u rikthye.
Një pyetje shumë më e rëndësishme çon drejt pjesës tjetër të skenës politike:
* Sa parti në Serbi sot mund të thonë qartë se Kosova është një shtet i pavarur, demokratik dhe sovran?
* Sa prej tyre mund të pranojnë se shqiptarët kanë të dretë për shtetin e tyre dhe anëtarësimin në OKB, përkatësisht në BE?
* Sa prej tyre mund të pranojnë se politika shtetmadhe ka pësuar një humbje historike?
Përgjigjja e këtyre pyetjeve shpjegon edhe heshtjen në kor.
Për çfarë flasim kur flasim për pastrimin etnik?
Kur pothuajse i gjithë spektri politik ndan të njëjtin mit territorial, ndryshimet mbeten vetëm në metoda. Disa flasin për dialog. Të tjerët për vendet e shenjta. Të tretët për të drejtën historike. Të katërtit për Kushtetutën. Ndërsa pala e pestë nuk humb kohë dhe flet hapur për pastrim etnik. Qëllimi mbetet pothuajse i njëjtë: Kosova pa e pranuar vullnetin politik të shqiptarëve.
Korrupsioni shkakton protesta. Vjedhja e votave shkakton protesta. Dhuna shkakton protesta. Pastrimi etnik shkakton shqetësim, por rrallë ose kurrë nuk shkakton një shkëputje politike. Sepse nacionalizmi serbomadh tashmë me dekada përfaqëson emëruesin e përbashkët të një pjese të madhe, të jashtëzakonshme të pushtetit dhe opozitës në Serbi. Ndryshimet fillojnë vetëm te ndarja e thjeshtë e pushtetit.
Ironia më e madhe fshihet në faktin se ata që e imagjinojnë Kosovën si tokë të përjetshme serbe, refuzojnë ta shohin realitetin në sy. Kosova tashmë prej gati dy dekadash funksionon si shtet i pavarur. Ka institucione, qeveri, polici, njohje ndërkombëtare dhe gjenerata të tëra të rinjsh që e shohin Serbinë si një vend fqinj.
REALITETI NUK E KA PËR DETYRË T’U BINDET MITEVE MONSTRUOZE
Dhe një politikë që e shndërron mitin në program përfundon gjithmonë në konflikt me realitetin. Atëherë në sipërfaqe dalin Snezhana dhe xhuxhat e tjerë moralë. Ata përfaqësojnë stacionin e fundit të një ideologjie. Sepse kur zhduken argumentet, mbetet vetëm ideja se njerëzit duhet të zhduken që miti të mbijetojë.
KJO histori kurrë nuk ka qenë thjesht një histori për një ministre. Bëhet fjalë për një shoqëri që ende nuk është ndarë me ideologjinë e viteve të nëntëdhjeta. Bëhet fjalë për një kulturë politike që territorin e vendos me këmbëngulje përpara njeriut. Bëhet fjalë për një ëndërr kombëtare në të cilën shqiptarët paraqesin pengesë, e jo një popull me të drejtë për jetën e vet, shtetin dhe të ardhmen e tij.
Snezhana Paunoviq, të cilën Qeveria e Kosovës me të drejtë e shpalli persona non grata, nuk ishte e para që e ëndërroi këtë ëndërr. Ajo thjesht e tha atë me zë të lartë.
Dhe kjo, ndoshta, është pjesa më e tmerrshme e të gjithë historisë.


