Dita 3 e protestës – Bllok Prishtina nga kolonat, bllok buxheti

Për të tretën ditë me radhë, punonjësit e Trafikut Urban dhe operatorët privatë kanë bllokuar rrugën mes Qeverisë dhe Komunës së Prishtinës në shenjë proteste, duke kërkuar pagesën e mjeteve që u kanë borxh. Autobusët qëndruan të ndalur para institucioneve, duke shkaktuar kolona të gjata, ndërsa policia kërkoi largimin e tyre, por protestuesit nuk u tërhoqën. Përfaqësuesit e sindikatave kërkuan përkrahjen e qytetarëve dhe paralajmëruan se protesta do të vazhdojë edhe nesër deri në realizimin e kërkesave të tyre

Transportin publik po e shfrytëzojnë vetëm punonjësit e Trafikut Urban.

Tash e tre ditë këta autobusë kanë vetëm një linjë: nga baza teknike e tyre deri te hapësira mes objektit të Qeverisë dhe Komunës.

Pasi zbarkuan në adresën ku po kërkojnë zgjidhje, mjetet e transportit u ndalën në shenjë proteste.

Si pasojë, edhe këtë të mërkurë u krijuan kolona dhe Policia e Kosovës kërkoi sërish mirëkuptimin e protestuesve për largimin e autobusëve.

Por një gjë e tillë nuk ndodhi.

“Po besoj dhe shpresoj… këto ditë të vështira qytetarët e kanë më së vështiri, por jo prej nesh sepse jemi të detyruar ta bëjmë këtë. Kemi familje dhe mbijetojmë me këto të ardhura”, ka theksuar Ilmi Gashi, kryetar i Sindikatës së Trafikut Urban.

Edhe pse moti ishte me shi, kjo nuk i pengoi protestuesit të qëndronin para komunës me kërkesën e tyre të vetme, pagesën e mjeteve që u kanë borxh.

“Nuk duam të përzihemi fare në politikë. I duam mjetet tona të dalin në llogari, paratë tona, të na fshihen borxhet, të paguhen pagat dhe të fillojmë punën”, ka deklaruar Ismet Haliti, sekretar i Shoqatës së Operatorëve Privatë.

Protesta vazhdoi për disa orë në shi.

Para përfundimit të tubimit për këtë ditë, përfaqësuesit e protestuesve patën edhe një thirrje.

“U bëjmë thirrje qytetarëve që, brenda mundësive, të na bashkohen dhe të na përkrahin në këtë protestë”, ka deklaruar Shaip Selmani, kryetar i Sindikatës së Re të Trafikut Urban.

Pa shënuar ora 13:00, autobusët u larguan nga rruga, megjithatë pritet të rikthehen sërish nesër me të njëjtën kërkesë, kryerjen e pagesave.

Nga Komuna e Prishtinës nuk u deklaruan nën arsyetimin se qëndrimi vazhdon të mbetet i njëjti në përkrahje të protestuesve dhe duke thënë se fajin e ka Ministria e Financave.

Shija e redaktorit

Enise Zijade, vajza tjetër e argjendtë e Kosovës

Xhudistja kosovare Enise Zijade ka shkëlqyer sot në Podgoricë, duke u renditur e dyta dhe duke siguruar medaljen e argjendtë. Ajo nisi garën me një...

UEFA publikon oraret e play-off-it të Botërorit 2026: Kosova dhe...

UEFA ka zyrtarizuar oraret e gjysmëfinaleve të play-off-it për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohen më 26 mars 2026 në orën 20:45. Si...

Presidentja Osmani dekoron Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar sot Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”, si vlerësim për kontributin e tij mbi tri dekada për...

Të fundit nga rubrika