Djali i drejtorit të QKMF-së në Podujevë punësohet në këtë institucion, përkrahin Bulliqin

Në Komunën e Podujevës ka dyshime se në një konkurs në QKMF, janë favorizuar kandidat për pozitën e mjekut të përgjithshëm. Gjersa opozita në Komunë thotë se rasti duhet hetuar, palët e tjera nuk i janë përgjigjur interesimit të Dukagjinit. Mes të tjerash, kandidatët e tjerë në konkurs kanë kritikuar procesin për mungesë transparence

Një konkurs në Komunën e Podujevës për pozitën “Mjek i përgjithshëm” ka ngritur dyshime mbi kandidatët që janë radhitur të parët në vlerësim.

Bëhet fjalë për kandidatin Shpat Bajgora, i cili në këtë konkurs, është radhitur i dyti me radhë, me 95.56 pikë në rezultatet përfundimtare të publikuara në 22 tetor, në faqen zyrtare të Komunës.

Kandidati në fjalë është gjithashtu i biri i drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, Bajram Bajgora.

Nga llogaritë e tyre në platformën “Facebook”, të dy publikisht mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje, subjektin që ka marrë edhe një tjetër mandat në krye të Komunës.

Madje, kandidati ka shpërndarë edhe mbështetje për Drejtoreshën e Shëndetësisë në Komunë, Adelina Stublla.

Kjo e fundit, nuk është përgjigjur në interesimin e Dukagjinit, që nga 29 tetori kur ka premtuar se do të jap një sqarim.

Ndërkohë, i paqasshëm në telefon ka qenë edhe drejtori i QKMF-së, Bajram Bajgora, djali i të cilit është punësuar.

Televizioni ka vizituar edhe ambientet e QKMF-së por sipas punonjësve, i njëjti nuk ka qenë prezent në QKMF.

Për përfaqësues të Lidhjes Demokratike në këtë komunë, familja Bajgora përfitoi nga marrëdhëniet e mira me Lëvizjen Vetëvendosje, që ka siguruar edhe një mandat qeverisjeje në këtë komunë.

”E ka punësu djalin e vet. Na e dimë si janë komisionet, a ia ka kallëxu pyetjet e testit a nuk e di, këta thonë se shteti s’është për familjarët e e ka punësu para një viti gruan e vëllaut, tash edhe djalin. Po, d.m.th. edhe drejtori QKMF po edhe drejtori, mund ta shohësh në Facebook, share-t që i bëjnë kryetarit, drejtoreshës së shëndetësisë, rend…në çdo tubim i ke fotografitë e tina, tash masi ka bo fushatë, edhe iu paska shpagu. Është dashtë me u marr se në çdo drejtori po bëhet njëjtë, po i shtin familjarët e vet. Njerëzit që konkurojnë e se kanë dikënd në VV duhet me prit. Këta e kanë shumëfishu këtë punë. Nëse më herët ka ndodhë që dikush e ka shti në punë ndonjë familjar kanë bo zhurmë, a tash e kanë bo të përditshme”, ka thënë Ekrem Rrahmani – Asamblist i LDK-së.

Televizioni ka kontaktuar edhe me kandidatët që nuk morën mjaftueshëm pikë në konkurs mbi pakënaqësitë rreth testimit.

E vërejtja ishte mbi mungesën e transparencës.

”Mendoj se duhet t’i kishin publikuar rezultatet e testit ose t’i kishin publikuar rezultatet veçmas në publikimin përfundimtar, sepse në këtë mënyrë nuk e di sa pikë kisha në test dhe sa në intervistë” – Kundërkandidat në konkurs.

Televizioni ka adresuar pyetje edhe në Komunën e Podujevës por e njëjta, nuk i është përgjigjur interesimit.

 

Të fundit nga rubrika