Milorad Dodik, president i entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë(BeH), gjatë një konference për media ka përsëritur fjalorin e tij ofendues dhe nxitës, duke sulmuar boshnjakët, administratën amerikane dhe ndërkombëtarët që veprojnë në Sarajevë.
Në fjalën e tij, ai i krahasoi proceset gjyqësore kundër ish-presidentit amerikan Donald Trump me, siç tha, një “urdhër të lëshuar nga ndonjë meksikan”, deklaratë e cila ngre shqetësime për gjuhë diskriminuese.
Dodik akuzoi përfaqësuesin e lartë Christian Schmidt për anshmëri, duke pretenduar se ai mbështet Kamala Harris dhe se veprimet e tij janë kundër Trumpit.
Ai komentoi edhe incidentin me pasaportat izraelite të hedhura në plehra në Sarajevë, duke tentuar ta lidhë këtë me boshnjakët dhe me, siç tha, “sulm ndaj izraelitëve”, duke shtuar se nesër të njëjtin fat mund ta kenë edhe “pasaportat serbe”, raporton N1 përcjell Dukagjini.
Në vazhdim, Dodik përdori retorikë fyese ndaj boshnjakëve, duke i quajtur thjesht “myslimanë” dhe duke i akuzuar për, siç tha, “persekutim ndaj serbëve”. Ai kërcënoi se nuk do të tërhiqet dhe se do të punojë për shkëputjen e Republika Srpska-s nga Bosnja e Hercegovina nëse nuk arrihet një marrëveshje e përhershme. Procesin gjyqësor ndaj tij e quajti “mashtrim politik të shpikur nga një gjerman”.
Dodik u bëri thirrje serbëve të “mbrojnë Republika Srpska-n”, duke nxitur ndasi dhe duke tentuar të legjitimojë refuzimin e institucioneve shtetërore të Bosnjës. Ai përmendi edhe EUFOR-in, duke kërkuar që të qëndrojë në “vijat e entiteteve”, një qasje që shkon kundër frymës së shtetit të përbashkët.
“Si president i serbëve këtu, nuk dua t’i shoh serbët të nënshtruar në BeH. Nëse nuk jemi të barabartë, atëherë nuk kemi arsye të qëndrojmë këtu. Mos e mbroni Dodikun, mbroni veten”, tha ai, duke tentuar ta paraqesë veten si lider i një “lëvizjeje për liri”, ndërsa njëkohësisht deklaroi se nuk është i interesuar për Bosnjën dhe Hercegovinën.
Deklaratat e tij, të mbushura me ofendime dhe kërcënime, pasqyrojnë vazhdimësinë e një gjuhe politike që rrit tensionet ndëretnike dhe minon stabilitetin e Bosnjës e Hercegovinës, duke i dhënë prioritet retorikës nacionaliste mbi dialogun dhe paqen.
Po gjatë kësaj konference ka dhënë dorëheqje kryeministri i Republika Srpska-s.