Rreth një milion euro të padeklaruara janë zbuluar sot në pikëkalimin kufitar Merdare, gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, sot zyrtarët doganorë kanë selektuar një automjet për kontroll të detajuar, bazuar në analizën e riskut dhe procedurat standarde operative.
Automjeti fillimisht është kontrolluar përmes skanerit me rreze X, ku janë vërejtur indikacione për një hapësirë të modifikuar në dyshemenë e tij. Pas kësaj, është kërkuar asistencë nga Policia e Kosovës, konkretisht nga zyrtarët e Policisë Kufitare, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike me pajisje fibroskopike.
Gjatë kontrollit të përbashkët, dyshimet janë konfirmuar me zbulimin e mjeteve monetare të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit. Sipas vlerësimeve fillestare, shuma e sekuestruar dyshohet të jetë rreth 1,000,000 euro.
Njësitë hetimore të Doganës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa është njoftuar edhe prokurori kompetent. Në koordinim me të, po ndërmerren veprime të mëtejme hetimore në përputhje me autorizimet ligjore.
