Dogana e Kosovës ka ndaluar pajisje për ujësjellës dhe sistem të ngrohjes qendrore të cilat nuk ishin deklaruar, në një rast të regjistruar në pikën kufitare të Merdarës.
Sipas njoftimit, gjatë kontrollit të një automjeti, pas inspektimit fizik dhe verifikimit me skaner, janë gjetur tre valixhe të kamufluara me rroba të përdorura, brenda të cilave ndodheshin pajisjet e padeklaruara.
Vlera e mallrave dyshohet të tejkalojë 10,000 euro.
Dogana ka njoftuar se mallrat janë ndaluar përkohësisht dhe do të ndërmerren të gjitha veprimet ligjore sipas procedurave në fuqi.
Autoritetet e doganës theksojnë se mbeten të përkushtuara në parandalimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e tregut të rregullt.