Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka realizuar një kontroll të detajuar doganor të një dërgese të ardhur nga Turqia, gjatë së cilit janë zbuluar dhe sekuestruar 237 mijë copë/pako për ambalazhimin e 20 cigareve me mbishkrimin “DRINA”.
Sipas Doganës, malli nuk ishte i deklaruar në përputhje me legjislacionin doganor në fuqi dhe dyshohet se ishte destinuar për përdorim në prodhimin ose paketimin e produkteve të duhanit, në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Në njoftim thuhet se efekti parandalues nga humbjet potenciale fiskale vlerësohet në rreth 340 mijë euro.
“Janë ndërmarrë menjëherë veprimet procedurale përkatëse, përfshirë sekuestrimin e mallit dhe inicimin e procedurave administrative kundërvajtëse dhe hetimore, në bashkëpunim me institucionet kompetente”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.