Draft-statuti i Asociacionit, Abdixhiku: Shtet brenda shtetit

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas publikimit të draft-statutit të përpiluar nga Ekipi Menaxhues, ka thënë se është më tepër se Asociacion, sipas tij është shtet brenda shtetit

Lumir Abdixhiku, Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar lidhur me draft-statutin e përpiluar nga Ekipi Menaxhues për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin ai e ka titulluar “shtet brenda shtetit”.

“Dokumenti i draft-statutit, i përpiluar nga Ekipi Menaxhues, e i bërë publik në medie është më tepër se Asociacion dhe është më tepër se Autonomi – është shtet brenda shtetit; Republikë brenda Republikës”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, ky draft-statut, në të 67 nenet e në nëntë kapitujt e tij, projekton Federalizimin e Kosovës si koncept të ri organizativ pas shpalljes së pavarësisë.

Po ashtu, ai ka thënë se një organ që nxjerr ligje dhe merr kompetenca nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, nuk ka vend në rregullimin tonë shtetëror dhe kushtetues.

“Si i tillë, ai jo vetëm që duhet të refuzohet si bazë negociuese, por dhe të refuzohet si ambicie politike. Në Kosovë nuk do të ketë parti, nuk do të ketë qeveri e nuk do të ketë njeri që mund ta pranojë një organizim të tillë”, ka thënë tutje ai.

Gjithashtu, ai i ka bërë apel Qeverisë që në procesin e ardhshëm ta marrë pronësinë.

“Asociacioni bëhet nga institucionet tona dhe atë vetëm brenda rendit tonë kushtetues. Çdo ikje nga përgjegjësia është dorëzim dhe çdo dorëzim sjellë dokumente e koncepte të tilla; siç ka ndodhur dhe me këtë tani”, ka thënë kreu i LDK-së.

Për themelimin e këtij Asociacioni, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë. Beogradi ka insistuar në kompetenca të gjera për këtë Asociacion, ndërsa Prishtina i ka kundërshtuar ato, duke thënë se mund ta rrezikojnë funksionalitetin e shtetit.

Sipas zyrtarëve të BE-së, hapi i parë drejt themelimit të Asociacionit është bërë në Bruksel me paraqitjen e draft-statutit të tij, edhe pse palët kanë shprehur qëndrime shumë të kundërta në lidhje me atë dokument.

Drafti-statuti u paraqit nga një Ekip Menaxhues – i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb – gjatë një takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel.

Kurti ka thënë se ky dokument është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, ndërsa Vuçiq ka kritikuar Kurtin që nuk po e zbaton “obligimin e dhjetë vjetëve më parë”.

Për BE-në, sipas fjalëve të një zyrtari të lartë, as teksti i këtij drafti e as reagimi i palëve ndaj tij nuk kanë qenë befasi.

Shija e redaktorit

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Shtëpia botuese “Dukagjini” propozon 9 libra që mund t’ju shoqërojnë...

Vera nuk është vetëm koha e pushimeve, por edhe e rikthimit te vetja. Në këtë periudhë kur ditët janë më të gjata e ritmi...

Pas raportimit të Dukagjinit, 3 donatorë i dalin në ndihmë...

Gjendjes së rënduar të familjes Krasniqi në Llukar e për të cilën raportoi ditë më parë Dukagjini, i kanë dal në ndihmë disa qytetarë...

Të fundit nga rubrika