Me përfundimin e vitit 2025, përfundon edhe mandati për 5 anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, hynë në fuqi ndryshimet në ligjin për Këshillit Prokurorial të Kosovës, që parasheh zvogëlimin e numrin të anëtarëve të Këshillit, nga 13 sa ishte në 7 anëtarë.
Mandati do t’i skadojë edhe kryesuesit të KPK-së, Ardian Hajdaraj ndonëse në krye të kësaj pozite erdhi në janar të vitit 2024, por anëtarë i KPK-së ishte zgjedhur më 1 janar të vitit 2021.
Nga 1 janari në KPK nuk do të jenë as zv.kryesuesja Jehona Grantolli e anëtarët Jetish Maloku, Veton Shabani, Ariana Shajkovci e Jovo Radoviq, i cili ishte pjesë e grupit të serbëve që bojkotuan institucionet e Kosovës në 2022.
Të njëjtit nuk kanë mundësi të rizgjedhjes sërish anëtarë të Këshillit Prokurorial.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thonë se skadimi i mandatit të këtyre anëtarëve nuk do shkaktojë ndonjë problem me kuorumin e Këshillit.
“Prej 1 janarit Këshilli do ketë në bazë të asaj që është parë nëse KPK-ja zbaton ligjin, do t’i ketë 5 anëtarë të vjetër që kanë marr mandatin në vitet paraprake dhe një anëtare e re Elza Bajrami që ka fituar mandat në nëntor të këtij viti që u votua nga shumica e prokurorëve të prokurorive themelore të Kosovës..”, ka thënë Ehat Miftaraj – Drejtor i IKD-së.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në këtë institucion, Miftaraj thotë se mund të ketë tentime të radhës për të ndërruar kryesuesin e KPK-së.
“Pa pikë dyshimi e themi se Ardian Hajdari do të bëjë përpjekje titanike që ta lë një trashëgimtarë të tij dhe ky do të jetë me siguri Milot Krasniqi i cili është haptazi edhe në diskutim edhe në debat se bënë pjesë në këtë grupin e stërvjetruar të sistemit prokurorial të Kosovës e them me hëret prej 1 janarit Ardian Hajdarit dhe një numri të madh aktual të përbërjes së stërvjetruar u përfundon mandati dhe në ditët në vijim, do shohim edhe episoda e filma të ri ku do bëhet përpjeke që të emërohet anëtari gjatë këtij viti që përbërja e vjetër të vazhdojë në mënyrën e njëjtë..”, ka thënë Ehat Miftaraj – Drejtor i IKD-së.
Javë më parë nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit është shkarkuar Besim Kelmendi, e kjo pozitë iu besua Agron Qalajt.
Shkarkimi i tij u kritikua nga organizatat e shoqërisë civile në Kosovë por edhe nga partnerët ndërkombëtar duke u vlerësuar si pengim i reformës në drejtësi.
