“Dukagjini” mbajti seminarin “mirëqenia psikologjike e mësimdhënësve dhe vetëkujdesi”

Për afër katër orë, të shtunën, qindra mësimdhënës nga mbarë vendi ishin pjesë e seminarit “Mirëqenia psikologjike e mësimdhënësve dhe vetëkujdesi”, i organizuar nga shtëpia botuese “Dukagjini”. Krahas prezantimit profesional, pati edhe diskutime e shkëmbime praktikash e përvojash. Mësimdhënësit kërkuan organizimin e më shumë seminareve të tilla

Qindra mësimdhënës nga shkolla të ndryshme nga mbarë vendi u bashkuan në seminarin e organizuar nga shtëpia botuese “Dukagjini”, me temë “Mirëqenia psikologjike e mësimdhënësve dhe vetë kujdesi”.

Ata u mirëpritën me një video nga nxënësit, të cilët, krahas mesazheve, u uruan 7 Marsin – Ditën e Mësuesit.

Një urim e falënderim e bëri edhe drejtorja ekzekutive e shtëpisë botuese, Edona Lluka-Vokshi.

“Ju falënderoj të gjithëve që keni gjetur kohë dhe jeni pjesëmarrës në këtë seminar të organizuar enkas vetëm ju dhe mirëqenien tuaj. Dhe, njëherit ju uroj 7 dhe 8 marsin”, ka thënë Edona Lluka Vokshi, Drejtore Ekzekutive e Shtëpisë Botuese “Dukagjini”.

Në rolin e trajneres, psikologia klinike Emirëjeta Kumnova foli për konceptin e mirëqenies së mësimdhënësit, faktorët që ndikojnë pozitivisht dhe negativisht, ndikimin në performancë, atmosferën në klasë dhe suksesin e nxënësve.

”Pjesa e mirëqenies së mësimdhënësve, jo vetëm tek ne në Kosovë, por edhe në vendet më të zhvilluara është pjesa më e neglizhuar. Pjesa ku nuk është dhënë vëmendje, nuk i është dhënë rëndësi”, ka thënë Emirëjeta Kumnova, Trajnere / Psikologe Klinike.

Teksa foli për ndikimin e mirëqenies së mësimdhënësit në emocione, angazhim, raportet me nxënës dhe rezultatet, ajo u shërbye edhe me shembuj.

“Ajo që mbajmë mend nga mësuesit tanë, shpeshherë nuk është ajo çfarë na kanë mësuar, por më tepër është ajo qasja që ata kanë treguar ndaj nesh, ajo na mbetet në mendje”, ka thënë Emirëjeta Kumnova, Trajnere / Psikologe Klinike.

Në pjesën e dytë prezantimi i psikologes Kumnova u fokusua te vetë kujdesi.

Ndërsa, pati edhe komunikim interaktiv, përfshirë pyetje e shkëmbim përvojash.

E lumtur me atë që pa ishte përfaqësuesja e shtëpisë botuese, Jeta Zymberi, e cila tha se morën kërkesa nga mësimdhënësit për më shumë seminare të tilla.

“Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme, e patëm një numër të madh të mësimdhënësve pjesëmarrës, të cilët u panë se e shijuan jashtëzakonisht shumë, ndoshta pse tema ishte shumë e qëlluar. Ishte mirëqenia psikologjike e mësimdhënësve dhe vetëkujdesi, një temë shumë e nevojshme në ditët e sotme”, ka thënë Jeta Zymberi, Përfaqësuese e Shtëpisë Botuese “Dukagjini”.

Duke përmendur rëndësinë e temës, mësimdhënësit ishin falënderues për seminarin.

“Trajnimi që është mbajtur sot ishte e diçka e jashtëzakonshme për të gjithë mësuesit që ishin pjesëmarrës aty. Mendoj që ishte një nga idetë më të qëlluara që ka mundur ta bëj vetëm shtëpia botuese Dukagjini”, ka thënë Vjollca Delijaj-Hasani, Mësimdhënëse.

“Ky trajnim ishte më se i qëlluar, sepse trajton një temë mjaft dinamike në raport me mësimdhënien. Mirëqenia sociale gërsheton shumë tema, duke përfshirë edhe trekëndëshin didaktit mësimdhënës, prindër dhe nxënës”, ka thënë Erona Abdullahu, Mësimdhënëse.

Të tjerë mësimdhënës thanë se u prezantuan praktika që duhet përvetësuar.

“Janë prekur disa pika që me të vërtetë që gjithsecili t’i merr për bazë dhe t’i përdorë në përditshmëri”, ka thënë Minire Berisha, Drejtore e Shkollës “Shkëndija”, Hajvali.

“Mos te mbetet vetëm më një të tillë, por të zgjerohen duke ju përshtatur nevojave të kohës, duke marrë parasysh se edhe psikologjia e vetë nxënësve është në evoluim e sipër. Jetojmë në një kohë të teknologjisë ku nxënësit sa janë të edukuar nga prindërit dhe shkolla, janë të edukuar edhe nga interneti”, ka thënë Arben Haxhaj, Mësimdhënës.

Krahas dhuratave për 7 Marsin, në fund shtëpia botuese “Dukagjini” ndau certifikata për mësimdhënësit pjesëmarrës në seminar.

 

Të fundit nga rubrika