“Dukagjini” me “Pearson” mbajtën trajnim për qindra mësimdhënës të Gjuhës Angleze

Sot në Prishtinë u mbajt trajnimi për mësimdhënës të gjuhës angleze, organizuar nga shtëpia botuese “Dukagjini” në partneritet me shtëpinë botuese “Pearson” nga Britania e Madhe. Trajnimi, që u udhëhoq nga eksperti global Grant Kempton, u përqendrua në sfidat dhe praktikat e mësimdhënies pas pandemisë COVID19. Kempton e vlerësoi si “skajshmërish të rëndësishëm” rolin e Dukagjinit në zhvillimin profesional të mësimdhënësve

Shtëpia botuese “Dukagjini” në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Pearson” mbajti të shtunën trajnim njëditor në Prishtinë, për qindra mësimdhënës të gjuhës angleze me temën “The Teacher’s Chapter – Beyond the Classroom”.

Trajnimi u përqendrua në sfidat dhe praktikat e reja të mësimdhënies pas pandemisë COVID-19, me synim maksimizimin e potencialit të nxënësve dhe minimizimin e punës së mësimdhënësve.

“Në partneritet me shtëpinë botuese Pearson që është lider botëror në fushën e teksteve shkollore. dhe sidomos për tekstet e gjuhës angleze, për të cilën e kemi vendimin dhe i kemi të miratuara nga MASHTI në Kosovë. Kjo është hera e pestë që Dukagjini në bashkëpunim me Pearson po organizon një ngjarje kaq të madhe për mësimdhënësit e gjuhës angleze në Kosovë”, ka thënë Erza Mati, Përfaqësuese e shtëpisë botuese “Dukagjini”.

Krahas certifikimit dhe prezantimit të materialeve të reja për ciklet 1 deri 5 dhe 6 deri në 9, pjesëmarrësve në këtë trajnim iu prezantua një program që ofron qasje ekskluzive dhe mundësi për zhvillim të vazhdueshëm profesional me ekspertë të “Pearson”.

“Programi i lojalitetit, ku do të mblidhet një komunitet i mësimdhënësve, të cilët janë, sigurisht, përdorues të teksteve shkollore “Pearson”, e që do të kenë qasje në materiale ekskluzive të cilat ata kanë nevojë dhe ua lehtësojnë punën çdo ditë, e po ashtu ulin kostot ditore për t’i realizuar ato. Përveç të gjitha këtyre do të sigurohemi që gjatë gjithë vitit t’ju mbajmë  trajnime si për kreditë të cilat u duhen për licencim, po ashtu edhe për zhvillim profesional të tyre”, ka thënë Erza Mati, Përfaqësuese e shtëpisë botuese “Dukagjini”.

Trajnimi u udhëhoq nga Grant Kempton, profesionist i angazhuar në fushën e mësimdhënies së gjuhës angleze për më shumë se 38 vjet, trajnues global i mësimdhënësve në periudhën 2000-2006, autor tekstesh për “Pearson” dhe bashkëpunëtor qeverish e organizatash të mëdha edukative në botë.

Pasi tha se sikurse Kosova, edhe sistemi i saj arsimor është në zhvillim sipër, Kempton theksoi se “Pearson” dhe “Dukagjini” janë shumë të etur për të mbështetur mësimdhënësit, studentët dhe arsimin në përgjithësi.

“Marrëdhënia jonë me Dukagjinin, këtu në Kosovë, është skajshmërish e rëndësishme. Ne sjellim ekspertizën globale, teknologjinë, produktet, shërbimet, por ne nuk i njohim mësimdhënësit kosovarë, nuk i njohim studentët kosovarë, ambientin kosovar. Dukagjini ka histori të gjatë dhe reputacion këtu në Kosovë dhe ne mbështetemi në ta për të na ndihmuar kuptuar më mirë dhe për të punuar më mirë për t’i ndihmuar të gjithë të përmirësohen”, ka thënë Grant Kemptron, Trajner i mësimdhënësve – “Pearson”.

Trajneri i kurrikulës dhe mësimdhënësi, me përvojë profesionale 27-vjeçare, Artan Shatri përmendi dy çështje kryesore nga ky trajnim, me fokus te ligjërimi pas COVID-19, që imponoi forma elektronike në mësimdhënie.

“E kemi parë që mësimdhënia nuk është lidhur komplet, gjithmonë vetëm me klasën. Ky është qëllimi i parë. Ndërsa qëllimi i dytë është që mësimdhënësit e gjuhës angleze të jenë shumë në hap me kohën, me metodologjitë më të avancuara të mësimdhënies dhe të jenë krahas me nevojat të cilat nxënësit na i imponojnë neve në njëfarë mënyre. Sepse mësimdhënia jonë duhet të adaptohet sipas nevojave dhe kërkesave të nxënësve”, ka thënë Artan Shatri, Trajner i mësimdhënësve.

Ky ishte trajnimi i dytë i “Dukagjini” dhe “Pearson” në një hapësirë kohore prej dy muajsh për mësimdhënësit e gjuhës angleze, pas uebinarit të organizuar nga dy shtëpitë botuese nga 24 deri më 28 Mars.

Të fundit nga rubrika