Policia e Kosovës ka njoftuar se një person është plagosur me armë zjarri në Ferizaj, në mbrëmjen e së dielës, ndërsa i dyshuari ndodhet në arrati.
Sipas policisë, rasti ka ndodhur më 21 dhjetor rreth orës 23:43. Dyshohet se një mashkull kosovar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një mashkulli tjetër, duke e plagosur atë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar tre gëzhoja.
Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa i dyshuari, i cili është i njohur për organet e rendit, është shpallur në kërkim policor.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka urdhëruar nisjen e hetimeve.
Ndërkohë, një plagosje tjetër me armë zjarri është raportuar edhe në Gjakovë, po ashtu në mbrëmjen e së dielës.
Një person ka pësuar lëndime në këmbë, ndërsa deri më tani të dyshuarit për këtë rast nuk janë identifikuar.