Dy persona të dyshuar janë arrestuar për vjedhjen e xhevahireve të çmuara të kurorës nga muzeu i Luvrit në Paris.
Zyra e prokurorit të Parisit tha se njëri prej burrave është marrë në paraburgim ndërsa po përgatitej të fluturonte nga Aeroporti Charles de Gaulle, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Sendet me vlerë 88 milionë euro u vodhën nga muzeu më i vizituar në botë të dielën e kaluar, kur katër hajdutë me vegla elektrike hynë me forcë në ndërtesë në mes të ditës.
Ministri i drejtësisë i Francës ka pranuar se protokollet e sigurisë “dështuan”, duke e lënë vendin me një “imazh të tmerrshëm”.
Zyra e prokurorit të Parisit tha në një deklaratë se arrestimet ishin bërë të shtunën në mbrëmje, pa specifikuar se sa persona ishin marrë në paraburgim.
Njëri nga të dyshuarit po përgatitej të udhëtonte për në Algjeri, thanë burime policore për mediat franceze, ndërsa kuptohet se tjetri po shkonte në Mali.
Policia e specializuar mund t’i marrë në pyetje ata deri në 96 orë.
Prokurori i Parisit kritikoi “zbulimin e parakohshëm” të informacionit në lidhje me rastin, duke shtuar se kjo pengoi përpjekjet për të rikthyer xhevahiret dhe për të gjetur grabitësit.
Hajdutët thuhet se mbërritën në orën 09:30, pak pasi muzeu u hap për vizitorët.
Të dyshuarit mbërritën me një ashensor mekanik të montuar në automjet për të hyrë në Galerie d’Apollon (Galeria e Apollonit) nëpërmjet një ballkoni pranë lumit Sena.