Dyshime për disa tenderë në Podujevë, u shpërblyen ofertuesit më të shtrenjtë

Disa tenderë të dhënë nga komuna e Podujevës përgjatë këtij viti kanë ngritur dyshime për favorizim. Kjo ngase nga disa ofertues, komuna ka zgjedhur kompani më të shtrenjta se konkurrentët e tjerë, duke ngritur dyshime për mungesë transparence. Opozita lokale dhe monitoruesit e komunës e konsiderojnë këtë praktikë si dështim në menaxhimin e parasë publike gjersa kërkojnë veprime institucionale karshi autoritetit komunal

Komuna e Podujevës po kritikohet për shpenzimin e parasë publike, meqenëse disa tenderë kanë treguar një praktikë të përzgjedhjes së ofertuesve më të shtrenjtë.

Të dhënat përfshijnë tenderë publik gjatë 2025-s.

Një rast i tillë është ai për rregullimin e shtretërve të lumenjve, ku nga tetë operatorë konkurrues, fitues kishte dalë “3D-Project” me 44 mijë e 600 euro e 36 cent, që kishte ofertën më të shtrenjtë.

Ngjashëm kishte ndodhur edhe me tenderin për ndriçimin publik, në qershor të këtij viti ku përfitues doli grupi i operatorëve ekonomikë “Tala Engineering, Amazon Holding dhe Construction Group”, me vlerën e kontratës 348 mijë e 578 euro e 61 cent.

Për opozitën në komunë, kjo praktikë lë vend për dyshime.

“Ai ka bërë pazare me tenderë. S’ka rast që e ka marrë çmimin më të volitshëm për komunën po e ka marrë më të shtrenjtin, i ka bo dëm komunës dhe kështu ka vazhdue. Se di pse s’ka vepru Prokuroria…edhe kur ankesuit janë shku në OSHP ka gjet mënyra, ka bo pazare”, ka deklaruar Ekrem Rrahmani – Asamblist i LDK-së.

E se në këto tenderë u tregua favorizim e mungesë përgjegjësie e thonë edhe monitorues të komunës.

“Praktika e dhënies së tenderëve ofertuesit më të shtrenjtë në Komunën e Podujevës përfaqëson një model të dështuar të menaxhimit publik dhe mungesë serioze të përgjegjësisë institucionale. Në vend që të zbatohet parimi ligjor i vlerës më të favorshme për paranë publike, është ndjekur një qasje që ngjason me favorizim dhe klientelizëm, duke lënë anash transparencën dhe konkurrencën e ndershme”, ka deklaruar Shemsi Jashari – Monitorues i Komunave.

Kjo sjellje dëmton drejtpërdrejt buxhetin komunal dhe interesin publik, sepse për projekte të njëjta paguhen çmime më të larta, ndërkohë që shumë prej tyre mbesin të papërfunduara tërësisht.

Mes të tjerash, Jashari thotë se komuna duhet ndërmarrë veprime urgjente në përmirësim të menaxhimit të dhënies së tenderëve e shfrytëzimit të parasë publike.

“Në një komunë ku nevojat janë të shumta dhe burimet të kufizuara, çdo euro e shpenzuar pa efekt është dëm për qytetarët. Shoqëria civile e sheh këtë si sinjal alarmi për mungesë të integritetit në vendimmarrje dhe kërkon rishikim urgjent të mënyrës se si menaxhohen tenderët publikë, me transparencë, llogaridhënie dhe përfshirje të publikut në mbikëqyrje”, ka deklaruar Jashari.

Televizioni ka tentuar të marrë një përgjigje nga Komuna e Podujevës por e njëjta, nuk i është përgjigjur interesimit.

Të fundit nga rubrika