Mangësi në procedurat e prokurimit në komunën e Podujevës ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit.
Sipas ZKA-së, janë disa raste gjatë vitit 2024 kur kjo komunë shpërbleu me kontratë operatorët që nuk plotësuan kushtetet e kritereve të tenderit.
“Te kontratat për “Ndërtimin e kanalizimit nga fshati Lluzhan-Lupç, Gërdofc-Lluzhan, Majac-Lupç dhe Sfeqël-Lluga (Kolektori) Lloti I, II, III” në vlerë totale të kontraktuar 3,483,343€, në njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit në kërkesën për kapacitetin ekonomik dhe financiar ku përveç tjera kërkohen pasqyrat financiare të audituara, ndërsa (OE) në ofertën e tij ka paraqitur raportin e rishikimit të pasqyrave financiare”– Zyra Kombëtare e Auditimit
Ngjashëm është vepruar edhe tek tenderi për rregullimin e hapësirave publike përgjatë Lumit Llap.
”Te kontratat “Rregullimi i hapësirave publike përgjatë lumit Llap në qytet” ka shpërblyer më kontratë Lloti III në vlerë 82,000€ dhe Lloti IV në vlerë 38,833€, në njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit në kërkesën për kapacitetin teknik dhe profesional, kërkohen certifikatat ISO dhe menaxherin e projektit- inxhinier i diplomuar ose bachellor i elektros përfshirë kontratën për projektin në fjalë, – Për llotin III OE fitues nuk i kishte bashkangjitur në ofertë ISO standardet, ndërsa për llotin IV OE fitues në vendimi i menaxherit të kontratës nuk i ishte referuar kontratës por për projekte të ndryshme elektrike dhe nuk ka prezantuar kontratë për projektin në fjalë”.-Zyra Kombëtare e Auditimit
E për njohës të çështjeve të prokurimit, ky është një tjetër rast që ngjallë dyshime të bazuara për favorizim.
“LPP përcakton qartë se operatorët ekonomikë që rekomandohen për kontratë duhet të plotësojnë të gjitha kërkesat e tenderit; në të kundërtën, jo vetëm që rrezikohet realizimi i projekteve nga operatorë pa kapacitetet e kërkuara, por shkelet parimi bazë i trajtimit të barabartë dhe krijohet dyshim i arsyeshëm për favorizim. Gjetjet e ZKA tregojnë mosrespektim të kërkesave esenciale, si mungesa e dokumenteve të detyrueshme, shpërblimi i disa lloteve në kundërshtim me kriteret dhe mosplotësimi i kushteve teknike e profesionale, që përbëjnë shkelje procedurale dhe dëshmojnë qasje të papërgjegjshme në vlerësimin e ofertave”– Ardit Dragusha, nga Demokracia +
Sipas ZKA-së, ngjashëm u veprua edhe në projektin për ndërtimin e Shkollës së Mesme Profesionale në Zonën Industriale në vlerë 2,430,303€ dhe “Ndërtimi i Tregut të Gjelbërt” në vlerë 1,440,787€ si dhe në “Asfaltimin e rrugëve në qytet lloti I, II dhe III”.