Janina Ymeri nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
Ajo është shprehur në lidhje me lajmin se kompania e vëllait të shefit të kabinetit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Luan Dalipit, është duke pritur për licencim për tregtim të energjisë elektrike.
Ymeri ka deklaruar se licencimi nuk përbën shkelje apo konflikt interesi, por se konflikti apo keqpërdorimi mund të gjendet te kontratat e importit dhe eksportit.
“Ato po na fshihen si informacione dhe nuk janë dhënë që disa kohë”, ka thënë ajo.
Në një kërkesë që kishte bërë më herët në KOST, Ymeri ka thënë se sot ka marrë një përgjigje, ku ata kanë kërkuar edhe 15 ditë kohë, edhe pse, sipas saj, bëhet fjalë për një informacion që është shumë i lehtë për t’u dhënë.
“Nuk po na japin kontratat e importit. Pra, nëse është keqpërdorur pozita e Luan Dalipit, kjo mund të shihet në këto kontrata. Përndryshe, licencimi si hap në vetvete nuk ka pse të shihet si problematik”, ka thënë ajo.
“Kur vjen puna tek pika tjetër për të na treguar nëse ka pasur keqpërdorime, informatat nuk po na jepen. Nga Ministria e Ekonomisë nuk janë dhënë. Është drejtuar puna te ZRRE-ja, ZRRE-ja thotë se nuk mundet, shko nëpër kompani të caktuara, dhe KOST-i thotë ‘më duhen edhe 15 ditë’”, ka shtuar ajo.
Tutje, Ymeri ka deklaruar se janë mbi 1 milion euro në ditë gjatë vitit 2025 që kanë shkuar në blerje të energjisë, por që nuk po jepen informata.
“Me këtë punë do të shihej edhe kush është duke marrë kontratat, kush ka marrë pagesa, a janë bërë pagesat sipas kontratave apo jo, si janë zgjedhur ata që kanë fituar dhe sa është shpenzuar në përgjithësi – si në eksport, ashtu edhe në import”, ka thënë Ymeri.
Ajo ka theksuar se është shumë e rëndësishme që si shoqëri të dimë se çfarë ka ndodhur në tregun e energjisë elektrike.