Më datën 15 shtator, Komuna e Podujevës hapi konkurs për plotësimin e disa vendeve të punës.
Pozitat e hapura ishin për tre mësimdhënës, një për Histori-Edukatë qytetare, një për Gjeografi-Edukatë Qytetare dhe një për lëndën Informatikë.
Në mesin e kritereve për aplikim, theksohej se të tri pozitat ishin zëvendësime.Megjithatë, konkursi u mbyll më datën 17 tetor, me një arsyetim nga komuna.
Dita e mbylljes së konkursit shënon 33 ditë nga hapja e tij.
Por sipas juristëve, Komuna do mund të vepronte ndryshe dhe situata aktuale, ngrit dyshime.
“Si rregull, duhet përmbyllur në afatin prej 30 ditësh siç përcaktohen me aktet nënligjore. Në rrethanat e arsyeshme dhe objektive, ky afat mund të shtyhet edhe 15 ditë të tjera me referencë të dispozitave të ligjit për procedurën e përgjithshme administrative ndërsa anulimi i procesit për mospërmbushjen e këtij procesi brenda afatit 30 ditësh në bindjen time lë hapësirë për dyshime në rast se ky proces ka pas të bëjë me procesin zgjedhor që kaloj para pak ditësh”, tha avokati, Ardian Bajraktari.
I të njëjtit mendim shprehet edhe ish-kandidati për kryetar të kësaj komune, Xhemajl Hasani.
“Kjo e dëshmon që është përdorë për vota, njëfarë mënyre për t’i mashtruar aplikuesit që do jenë në këtë vend pune përderisa kanë pasur nevojë të plotësojnë. Orët që kanë mungesë nga 7 orë mësimdhënësit aktual. Dihet ashiqare që pushteti aktual sektorin e arsimit e she si terren për interesa politike për me marr vota ma shumë”, tha ai.
Për konkursin dhe detaje për të, televizioni ka kërkuar dhe ka pyetur në Komunën e Podujevës, por ata nuk janë përgjigjur.