Procesi i rinumërimit të votave, nxori në pah ndryshime në numra katër-shifror pothuajse tek secila parti politike. Sidomos të disa kandidatëeve nga Partia Demokratike e Kosovës.
Këta të fundit ndërmjet një komunikate për media po thonë se po presin konkluzionet e të gjitha organeve përgjegjëse.
“Partia Demokratike e Kosovës po e përcjellë me vëmendje të shtuar procesin e rinumërimit të votave dhe mospërputhjet e evidentuara në disa komuna të Kosovës. Për ne si subjekt politik, indikacionet për cenim apo manipulim të votës janë të papranueshme. Vota e qytetarëve është e shenjtë dhe çdo trajtim jokorrekt ose përpjekje për manipulim shkelë parimet demokratike që ne mbrojmë”, thuhet nga PDK.
Ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri duke kërkuar angazhim të plotë nga organet e drejtësisë.
“Aty ku gara bëhet kush qeveris më keq, del që edhe gara kush vjedh më shumë është mendësi dhe vjedhja e votës është e vetmja mundësi që u duhet. Organet e rendit duhet ta hetojnë deri në detaje këtë makineri të vjedhjes së vullnetit të popullit. Lavdi ju qoftë marria!”, ka theksuar Lutfi Haziri.
E kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj pas kësaj situate po kërkon rinumrim të tërësishëm të votave.
“Rinumërimi i pjesshëm i votave të kandidatëve po e nxjerr në shesh një skemë manipulimi të përmasave shqetësuese të votës së qytetarit. Procesi i këtyre zgjedhjeve qysh sot është lënduar dhe pas këtyre gjetjeve, vota duhet të rinumërohet një për një. Pa rinumërim të tërësishëm, nuk sigurohet integriteti i këtyre zgjedhjeve”, ka deklaruar Haradinaj.
Reagime ka pasur edhe nga shoqëria civile duke thënë se pjesë e hetimit në kuadër të këtij procesi duhet të bëhen edhe komisionerët.
