Policia Metropolitane në Londër ka nisur një hetim penal ndaj ish-ministrit britanik dhe ish-ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara, Peter Mandelson, pas akuzave për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Hetimi lidhet me pretendimet se ai ka ndarë informacione të ndjeshme qeveritare me financierin amerikan dhe të dënuarin për abuzim seksual, Jeffrey Epstein.
Hetimi vjen pas publikimit të disa emaileve nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, të cilat sugjerojnë se Mandelson, gjatë kohës kur shërbente si sekretar për biznes në vitin 2009 në qeverinë e ish-kryeministrit Gordon Brown, mund t’i ketë përcjellë Epstein informacione me ndikim në tregje financiare.
Burime pranë BBC-së kanë bërë të ditur se Mandelson nuk i ka komentuar publikisht akuzat, por qëndrimi i tij është se nuk ka kryer asnjë vepër penale dhe se nuk ka vepruar për përfitime financiare.
Ndërkohë, një zëdhënës i qeverisë britanike ka deklaruar se autoritetet janë të gatshme të ofrojnë çdo mbështetje të nevojshme për hetimet policore.
Paralelisht, është bërë e ditur se Mandelson ka në plan të japë dorëheqje nga Dhoma e Lordëve.
Ish-kryeministri Gordon Brown ka konfirmuar se i ka dorëzuar policisë informacione që lidhen me komunikimet e dyshuara ndërmjet Mandelson dhe Epstein, duke i cilësuar këto veprime si të pajustifikueshme dhe jopatriotike, sidomos në periudhën kur Britania po përballej me krizën globale financiare.
Dokumentet e publikuara sugjerojnë se Mandelson mund t’i ketë dhënë Epstein informacione paraprake mbi politika financiare, përfshirë planet për tatim të bonusëve të bankierëve dhe një paketë shpëtimi prej 500 miliardë eurosh për eurozonën.
Gjithashtu, në dokumente përmenden pagesa të dyshuara prej 75 mijë dollarësh ndaj Mandelson në vitet 2003 dhe 2004, si dhe një pagesë prej 10 mijë paundësh për partnerin e tij në vitin 2009. Mandelson i ka mohuar këto pretendime.
Skandali ka shkaktuar reagime politike në Britani.
Kryeministri Keir Starmer thuhet se e ka cilësuar situatën si zhgënjyese dhe turpëruese, ndërsa liderë të opozitës kanë kërkuar hetim publik mbi mënyrën se si Epstein kishte arritur të krijonte lidhje me establishmentin politik britanik.