Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj të pandehurit me inicialet V.M., për veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, V.M., nga një datë e pacaktuar deri më 1 nëntor 2025, dyshohet se ka ndihmuar persona të tjerë në kryerjen e veprës penale.
Prokuroria pretendon se gjatë paradites së 1 nëntorit 2025, V.M. ka fotografuar automjetin e të dëmtuarit M.V. pranë shtëpisë së tij dhe fotografitë ia ka përcjellë personit me inicialet A.F.
Më pas, sipas aktakuzës, i dëmtuari M.V. është kontaktuar dhe është dakorduar që të shkonte në një lokacion të caktuar në fshatin Kapuricë të Komunës së Leposaviqit, me qëllim të blerjes së mjaltit.
“Pasi ishte nisur me automjetin e tij të tipit ‘Niva’, i pandehuri, përmes telefonit, e ka njoftuar A.F.-në se i dëmtuari ishte nisur në drejtim të kufirit”, thuhet në aktakuzë.
Sipas Prokurorisë, pasi M.V. ka arritur në lokacionin e caktuar, persona të panjohur dyshohet se e kanë plagosur dhe rrëmbyer, për ta dërguar më pas në territorin e Serbisë.
V.M. akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje. Në shtëpinë e tij në fshatin Leshak të Leposaviqit, sipas aktakuzës, janë gjetur një armë gjahu dytytëshe, një tytë e armës së gjatë, një jelek gjuetie me 28 fishekë të armës së gjatë, si dhe 11 fishekë të tjerë.
“Armët dhe fishekët i janë sekuestruar të pandehurit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga Gjykata që V.M. të shpallet fajtor për veprat penale për të cilat akuzohet dhe të dënohet sipas ligjit.