Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj Fatmir Shehollit, i cili u arrestua si i dyshuar për spiunazh te BIA serbe.
Lajmin për Dukagjinin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit F.SH. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të Spiunazhit në vazhdimësi, gjyqtari i procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës, me datë 09.01.2026 përmes Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të njëjtit iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, tha Gashi.
Gashi, mes tjerash, thotë se paraburgimi sipas këtij aktvendimi të pandehurit F.SH. i llogaritet prej datës 09.01.2026 deri me datë 09.03.2026.
Kujtojmë se Fatmir Sheholli ishte arrestuar më 9 tetor nën dyshimet për spiunazh.
Ndaj tij, më 10 tetor Gjykata e Prishtinës i kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Ai dyshohet se për një kohë ka vepruar sipas udhëzimeve të urdhrave të zyrtarit të lartë të BIA-s serbe, Bojan Dimiq.