Inflacioni është term të cilin e dëgjojmë shpesh nga ekonomistët, por se çka do të thotë me të vërtetë, qytetarët e kuptojnë kur shkojnë tek arka e marketit dhe gjërave ushqimore.
Sikurse në vitet tjera post-pandemike edhe viti 2025 është karakterizuar me ngritje të çmimit të produkteve ushqimore.
Gjatë muajit nëntor të vitit paraprak, krahasuari me të njëjtin muaj të vitit 2024, inflacioni ishte 5.3%.
Sipas Agjencisë së Statistikave, tek pajisjet personale të transportit ka ngritje të çmimeve për 18,1%, energjia elektrike 15,5%, buka dhe drithërat 5,2%, qumështi, djathi dhe vezët u shtrenjtuar për 10,5%, kafja, çaji dhe kakao 14,0%, mishi u shtrenjtua për 13,7%, lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet 9,6%, pemët 16,1%, perimet 3,3%, sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat 4,5%, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 5,3%, arsimi 3,8%, veshjet 2,7% dhe transporti rrugor i udhëtarëve u shtrenjtua për 1,4%.
Një ndër shembujt që e ilustron më së miri ndikimin e ngritjes së çmimeve në jetën e qytetarëve është fakti se si për shembull në vitin 2018, 30 copa vezë kanë kushtuar 2 euro e 45 centë, ndërkaq në vitin 2025 çmimi është 5 euro e 45 centë, e vende vende mbi 6 euro.
“Më 2021 orizin e kanë marr me 1.40 euro, sot e kanë 1.73 euro, miellin e kanë marrë me 0.60 euro sot e kanë 0.83 euro, bukën e bardhë e kanë marr nga 25 centë sot e dorëzojnë me 70 centë, qumështin nga 50 centë për litër sot e kanë 1.25 centë vezët nga 2 euro e gjysëm më 2021 sot i kanë 05.40, vaji ushqimor nga 0.85 në 1.67 euro, sheqeri nga 0.70 euro në 1 euro e 20 centë dhe uji mineral nga 0.15 në 0.38 centë, po nuk po them që pagat i kanë marr nga 600 në 1200 nga 800 në 1500”, ka thënë – Adem Qorolli – Ekonomist.
Ekonomisti Qorolli mendon se përballë inflacionit ka munguar dora e shtetit, sidomos mungesa e veprimeve nga ministrat e dikastereve që e prekin ekonominë.
“Dhe çka është dashur të bëhet, shumë është lehtë vetëm investimet kapitale është dashur t’i rritë në komuna ashtu siç i ka përkrahur ku ka udhëhequr vetë dhe ne sot nuk do ta kishim këtë projeksion dhe çka pritet më 2026 do të pritet plus një 5% përsëri në produkte dhe pritet që të gjitha taksat e shtetit duke filluar nga ato të regjistrimit të veturave nga tërheqja e dokumenteve nga të gjitha taksat doganore nga të gjitha taksat e ATK-së do të pësojnë rritje, nga normat e interesit dhe gjoba dhe sigurisht edhe bashkëatdhetarët kur të vijnë do të paguajnë edhe tatimin në pronë për 110% sepse banorët jorezident kanë rritur tarfiën për tatim në pronë 110%”, ka thënë – Adem Qorolli – Ekonomist.
Kur inflacioni e godet ekonominë, qytetarët janë para dy zgjidhjeve – të blejnë më pak ushqim në mënyrë që të harxhojnë më pak, ose të mos e ndryshojnë rutinën, por duke pasur parasysh pasojat në xhepin e tyre, pra ushqim dhe shërbime të njëjta me më pak para në xhep.
“Valla për çmime më të larta se në Kosovë po më duket askund nuk janë në Europë, edhe çka po dalin në perëndim edhe po kthehen po tregojnë se më të shtrenjta janë tek ne në Kosovë se në perëndim që i kanë rrogat 10 fish më shumë se ne edhe çmimet tek ne diçka shumë”, ka thënë – Besim Islami – Qytetar.
“Po të lutem po si jo, kjo po manifestohet edhe tek vogëlushi i vogël që është minore e lëre më tek të rriturit, sytë janë me pa, ne nuk duhet, neve na nevojitet vetëm faktet, me fakte shkojmë si shoqëri përpara”, ka thënë – Mehdi Jashari – Qytetar.
Një ndër kauzat me të cilat vazhdimisht është mbrojtur Qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje përgjatë këtyre viteve të fundit ka qenë Ligji për çmimet tavan për produktet bazë, që e kishin hartuar porse i njëjti u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga partitë opozitare.
Gjykata në fund të 2023-s e shpalli të pavlefshëm duke vendosur se i njëjti nuk ishte në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.