Ekonomistët i japin të drejtë opozitës që kritikuan projektbuxhetin për vitin 2024

Opozita nuk e ka mirëpritur projektbuxhetin për vitin 2024. Partitë opozitare kanë thënë se projektbuxheti për vitin 2024 është stagnues. Nga ana tjetër, ekonomistët "arsyetojnë" këtë qëndrim të opozitës duke u dhënë të drejtë atyre. Ata shprehën se për të qenë ekonomi konkurruese kërkohet investim më i lartë në të gjitha dikasteret qeverisëse

Ilustrim

Projektbuxheti për vitin 2024 prej 3.3 miliardë eurosh u kritikua nga opozita, e cila e quajti stagnues dhe jozhvillimor.

I fundit që e cilësoi të tillë ishte kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Harandinaj. Ai përmes një postimi në Facebook e cilësoi edhe si politik edhe si diskriminues.

“Projekt-buxheti për vitin 2024 me parametrat e përcaktuar nga Qeveria nuk është buxhet zhvillimor por stagnues, si në aspektin zhvillimor dhe në aspektin social dhe standardit jetësor. Ky buxhet është politik, diskriminues dhe bartje e projekteve prej viti në vit”, kishte shkruar Haradinaj.

Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka njoftuar se të mërkurën e 15 nëntorit, në orën 14:00, në Kuvendin e Kosovës, grupi parlamentar i LDK-së do të organizojë tryezë diskutimi për projektbuxhetin e vitit 2024.

Bajrami ka njoftuar se të ftuar në tryezë janë odat ekonomike, sindikatat, shoqëria civile dhe ekspertë të ekonomisë.

“Me buxhetin e vitit 2024, kjo qeveri ka menaxhuar katër buxhete vjetore, në vlerë prej mbi 11 miliardë euro dhe nuk lanë asnjë shenjë në ekonomi. Tryeza është e hapur për të gjitha mediat dhe qytetarët që kanë interes të përcjellin këtë diskutim”, ka shkruar Bajrami.

Për këtë situatë, njohësit e ekonomisë janë pajtuar me opozitën.

Profesori në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ymer Havolli, në një prononcim për Portali Dukagjini, ka thënë se kjo është situatë normale, ku diskutimet për shpërndarjen vjetore të buxhetit të debatohen në parlament dhe organet e tjera vendimmarrëse.

“Është e pritshme që partitë parlamentare të kenë programe të ndryshme të shpenzimeve buxhetore, nga ato që janë paraqitur nga Qeveria dhe mbi këto baza zhvillohen diskutimet dhe ballafaqohen idetë e ndryshme”, ka thënë Havolli.

Ekonomisti Havolli ka thënë tutje se është mjaft e rëndësishme që projektbuxheti i prezantuar të gjejë rast për diskutim të mirëfilltë në mes të partive parlamentare.

Rëndësi sipas tij ka dhe që përkundër numrave të disponueshme në parlament, Qeveria do të duhej të ishte e vëmendshme ndaj vërejtjeve konstruktive të partive opozitare dhe brenda leximeve të akomodojë aty ku ka mundësi kërkesat e tyre.

Havolli është shprehur se kjo rritje në të hyrat e përgjithshme ishte e pritshme si rezultat i ngritjes së vazhdueshme të normës së inflacionit.

“Kjo rritje në të hyrat e përgjithshme ishte e pritur si rezultat i ngritjes së vazhdueshme të normës së inflacionit, i cili ka ndikim direkt në të hyrat buxhetore, kjo pasi që ende buxheti i Republikës së Kosovës mbushet kryesisht nga të hyrat nga importi”, është shprehur ai.

Ymer Havolli, Profesor në Fakultetin e Ekonomik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”

Profesori në Fakultetin e Ekonomik gjithashtu ka theksuar se për të vazhdon të mbetet shqetësuese ngritja e shpejtë e shpenzimeve rrjedhëse, ndryshimet strukturore buxhetore edhe ekzekutimi mjaft i ulët i shpenzimeve kapitale.

Sipas Havollit, gjatë vitit 2023 edhe përkundër planifikimeve, niveli i shpenzimeve është jashtëzakonisht i ulët dhe bazuar në këto ecuri dhe sipas tij, planifikimet e paraqitura për vitin 2024, për shpenzimet kapitale nuk duken të jenë shumë realiste. Ai ka vijuar se ekonomisë tonë përpos një planifikimi më ambicioz në investime kapitale, i nevojitet edhe një dinamikë më e shpejtuar në ekzekutimin e tyre.

Tutje Havolli ka theksuar se për të qenë një ekonomi më konkurruese, kërkohet një investim më i lartë në të gjitha fushat duke përfshirë infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë e të tjera.

Ai ka potencuar se Kosova vazhdon të ketë sfida të mëdha ekonomike, gjë për të cilat një projektbuxhet sa do mirë i ndërtuar nuk do të mund t’i zgjedhë.

“Megjithatë, përkundër mundësive të limituara financiare, një konsistencë e vazhdueshme në investime kapitale dhe ekzekutim në linjë me planifikimet do të mund të bënte diferencë”, ka përfunduar profesori Havolli.

Ndërsa, ekonomisti, Mustafë Kadriaj, për Portali Dukagjini, ka thënë se me këtë qasje Qeveria e Kosovës po sillet me mentalitet të viteve të ’70-ta.

“Nën thjerrëzën ekonomike vlerësoj që me këtë qasje, Qeveria po sillet me mentalitet të viteve të ’70-ta, në qeveritë majtiste duke i mbajtur qytetarët në një burg kolektiv”, ka thënë Kadriaj.

Gjithashtu, Kadriaj ka thënë se Qeveria është duke tentuar që politikat në nivel mikro dhe makroekonomik t’i sigurojë pa ndërhyrje të jashtme, dhe kjo, sipas tij, është diçka e pamundur në një shtet me ekonomi të tregut siç është Kosova.

Sipas Kadriajt, Qeveria me një buxhet konsumues dhe pa politika investuese po thekson se po e mbush arkën, por nuk po di se si t’i shpenzojë dhe po hedh “mjegull” te qytetarët me pretendimin se po ruan paranë publike.

“Ndoshta edhe mund të ruajë paranë publike, por lind pyetja se çka i duhet buxheti kur të largohen qytetarët”, ka thënë tutje ekonomisti.

Mustafë Kadriaj, ekonomist

Kadriaj ka theksuar se Qeveria duhet të investojë në projekte kapitale, që do të reflektonin në rritje të aktivitetit biznesor, rritje të pagave në sektorin privat, duke ndikuar kështu në rritje të mirëqenies së qytetarëve.

“Nëse investon nuk do të thotë që humbë paraja publike në korrupsion, por të investohet në projekte kapitale të cilat do të reflektonin në rritje të aktivitetit biznesor, rritje të pagave në sektorin privat, duke ndikuar në rritje të mirëqenies së qytetarëve, përndryshe gatishmëria e qytetarëve do të rritet çdo ditë për t’u larguar nga vendi”, ka vijuar ai.

Ekonomisti Kadriaj ka përfunduar duke thënë se fokusi i buxhetit duhet të jetë në ekonomi, i cili do të reflektonte në dikasteret qeverisëse, si në arsim, shëndetësi, siguri e të tjerë.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika