Më 16 maj 2025 është mbyllur edhe një objekt tjetër i strukturave paralele në veri të Kosovës – konkretisht salla sportive në veri të Mitrovicës. Ky veprim ka shkaktuar reagime të menjëhershme, përfshirë protesta të nxitura nga Lista Serbe, e cila pretendon se po u cenohen të drejtat qytetarëve serbë në atë zonë.
Por të dhënat e siguruara nga “Debat Plus” hedhin dritë mbi një realitet krejt tjetër rreth rolit dhe funksionit të kësaj salle, që për vite me radhë është përdorur si bazë e organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”. Burime nga organet e sigurisë kanë bërë të ditur se objekti, me emërtimin “Qendra për Ekologji dhe Zhvillim të Sportit”, ka qenë në funksion të kësaj organizate që operon jashtë ligjshmërisë së institucioneve të Kosovës.
Qendra është regjistruar më 04.09.2015 në sistemin e Serbisë si një shoqatë sportive, me përfaqësues të autorizuar Igor Memaroviq. Por në realitet, Memaroviq është një nga drejtuesit kryesorë të “Mbrojtjes Civile”, i njohur si person shumë i afërt me Stevan Paviçeviq – liderin e kësaj organizate. Memaroviq ka shërbyer si shofer personal i Pavicevic dhe ka qenë përgjegjës për mobilizimin e grupeve të të rinjve brenda organizatës.
Sipas të dhënave zyrtare, objekti në fjalë është ndërtuar në vitin 2018 me fonde të Qeverisë së Serbisë. Vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se ndërtimi i kësaj qendre ka kushtuar 1.400.000 euro. Pas përfundimit të ndërtimit, objekti kaloi nën menaxhimin e Stevan Paviçevicq, i cili për një kohë të gjatë ka pasur përkrahje direkte nga shërbimi sekret serb – BIA. Pavicevic ka qenë në bashkëpunim të ngushtë me ish-drejtorin e BIA, Bratislav Gasiq, dhe me Bojan Dimiq – drejtor i drejtorisë së parë në këtë agjenci, me të cilin ka kryer hyrje-dalje të shpeshta në Kosovë. Një fotografi e publikuar në emision dëshmon afërsinë e Paviçeviq me Vuçiqin – në të njëjtën ai shihet në takim me presidentin serb në vitin 2018, gjatë vizitës së këtij të fundit në Ujman dhe në qendrën e përmendur.

Më pas, menaxhimi i qendrës kaloi në duart e Milos Milovanoviq, i lindur më 15.06.1987, i cili njihet si udhëheqës i “Mbrojtjes Civile” për rajonin e Zubin Potokut. Milovanoviq ka qenë pjesë e një grupi të përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë, si dhe ka marrë pjesë në organizimin e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit. Ai është përfolur gjithashtu për përfshirje në djegien e zyrave të Qendrës për Regjistrimin e Automjeteve më 25.09.2021 dhe ka lidhje të afërta me eksponentët e njohur kriminal, Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq.
Banorët lokalë serbë shpeshherë kanë ngritur dyshime për funksionin e kësaj qendre, duke deklaruar se nuk dinë çfarë aktivitetesh zhvillohen brenda saj. Dyshime të forta janë ngritur edhe për kamerat e sigurisë të vendosura në objekt, për të cilat thuhet se kontrollohen nga Serbia dhe mirëmbahen nga “Mbrojtja Civile”. Gjatë vizitës së Vuçiqit më 8 shtator 2018, ai ishte i shoqëruar nga Marko Djuriq – ish-drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë – dhe nga ish-drejtori i BIA, Bratislav Gasiq. Në një nga fotografitë e realizuara gjatë kësaj vizite, shihet Milun Milenkoviq – i njohur si “Lune”, duke pozuar si sportist me anëtarë të klubit të kik-boksit “Kosovska Mitrovica” si sportist me anëtarë të kik-boks klubit “Kosovska Mitrovica”.


Milun Milenkoviq, i lindur më 16.02.1985, ka qenë udhëheqës i “Mbrojtjes Civile” për Mitrovicën e veriut dhe ka drejtuar grupe të rinjsh të përdorur për monitorim dhe ndërhyrje të dhunshme në situata të tensionuara në veri. Më 13 qershor 2023, ai është arrestuar nga Policia e Kosovës për organizimin e sulmeve ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës. Aktualisht është nën aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Speciale.


Emrat e udhëheqësve të kësaj qendre janë dokumentuar edhe në rastin e datës 23 qershor 2023, kur në afërsi të Komunës së Zveçanit është lokalizuar një veturë e tipit Audi A6 me targa “BG-955-JW”, e mbushur me armatim, eksploziv dhe uniforma ushtarake. Sipas dëshmive të siguruara nga hetimet, kjo veturë është përdorur në disa raste nga Stevan Pavicevic dhe udhëheqësi i tij, Danilo Delibasic, i cili njëkohësisht ka qenë zëvendës udhëheqës i Qendrës për Ekologji dhe Zhvillim të Sportit.
Po ashtu, në dokumentacionin e gjetur në vendin e ngjarjes, që lidhet me planin e shpërndarjes së armatimit, figurojnë edhe emrat e Milun Milenkovic, i njohur si “Lune”, Milorad Jevtic, me nofkën “Micko” (i cili shfaqet në fotografi brenda kësaj qendre duke pozuar si anëtar i “Kryqit të Kuq”), si dhe Milos Milovanovic, i cili shihet në fotografi në të njëjtën qendër i veshur me uniformë të kërkim-shpëtimit në ujë (zhytës).