Tre analistë të kontaktuar nga BBC Verify kanë identifikuar imazhet e një droni të gjetur pothuajse të paprekur në një fushë pranë fshatit lindor polak Czosnówka, si një “Gerbera” – mjet ajror pa pilot (UAV) shumëfunksional, i lirë dhe i përdorur gjerësisht nga Rusia për të shpërqendruar mbrojtjen ajrore gjatë sulmeve ndaj Ukrainës.
Zyrtarët polakë konfirmuan se 19 dronë rusë hynë në hapësirën ajrore të vendit gjatë natës së kaluar.
Justin Crump, drejtor ekzekutiv i kompanisë së inteligjencës Sibylline, tha se “Gerbera është një mënyrë e lirë për të rritur aftësinë e dronëve të tjerë”, duke shtuar se Moska zakonisht e përdor këtë dron në kombinim me Shahed/Geran-2 gjatë sulmeve ndaj trupave dhe qyteteve ukrainase.
Ndërkohë, analisti i Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI), Justin Bronk, theksoi se dronët e gjetur mbetën kryesisht të paprekur pasi me gjasë u kishte mbaruar karburanti pas një fluturimi të gjatë, e jo sepse u qëlluan nga mbrojtja ajrore polake ose avionët e NATO-s.
Sipas të dy ekspertëve, shkalla e shkeljes së hapësirës ajrore sugjeron se bëhet fjalë për një akt të qëllimshëm të Rusisë.
Crump shtoi se Moska mund të ketë synuar “zbulimin e pikave të dobëta në mbrojtjen ajrore të NATO-s dhe Polonisë” ose “mbledhjen e të dhënave për reagimin e fuqive evropiane ndaj një provokimi të tillë”.
Ai nënvizoi gjithashtu se mungesa e kokave shpërthyese në këtë variant të dronit i lejon Rusisë të minimizojë rrezikun dhe të vështirësojë përgjigjen perëndimore.