Bekim Ahmeti, ekspert i komunikacionit, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin Five në RTV Dukagjini ka folur lidhur me situatën e sigurisë në komunikacion.
Ai ka thënë se numri i aksidenteve është në një trend të njëjtë të ndodhive. “Arsyet dihen, ku një ndër to është mosrespektimi i shpejtësisë së lëvizjes, përdorimi i telefonit mobil, pastaj mosrespektimi i shenjave të komunikacionit e kështu me radhë”, ka theksuar ai.
Sipas tij, rruga Prishtinë–Pejë është një prej arterieve më të frekuentuara rrugore nacionale për momentin.
“Arsyet lidhen me faktin se një numër i madh automjetesh qarkullojnë në këtë aks rrugor, duke pasur parasysh se aty ndodhen dy pika kufitare, me Malin e Zi dhe Shqipërinë, të cilat lidhen me autostradën ‘Ibrahim Rugova’ (R7), por edhe me rrugët Prishtinë–Pejë, Prishtinë–Gjakovë dhe Prishtinë–Klinë”, është shprehur Ahmeti.
Ai shtoi se rruga deri në Dollc, respektivisht në hyrje të autostradës “Ibrahim Rugova”, është rrugë e karakterit nacional, ku lidhen rrugët e kategorisë së dytë.
Ahmeti ka komentuar edhe aksidentin e pasdites së sotme në Vragoli të Fushë Kosovës, ku një kamion ka goditur katër vetura, duke lënë të lënduar disa persona.
“Rasti që ka ndodhur sot mund të ketë tri problematika: e para, shpërqendrimi i shoferit; e dyta, përdorimi i telefonit nga ana e shoferit; dhe e treta, gjendja teknike e rrugës apo e mjetit transportues, në këtë rast e kamionit”, ka thënë ai.
Aksident në Vragoli: Kamioni godet katër automjete, tre të lënduar – dy prej tyre rëndë