Këngëtarja e njohur britanike, Ellie Goulding, nuk mendonte se do të kishte një karrierë për t’iu rikthyer, nëse nuk do të kthehej në punë menjëherë pas lindjes së djalit të saj.
Krijuesja e hitit “Easy Lover” pranon se kthimi në studio muzikore vetëm tri javë pasi erdhi në jetë, Arthur, fëmija i saj i parë, me bashkëshortin Caspar Jopling, ishte veprim i ngutshëm, por i domosdoshëm për të.
“Kur e linda Arthurin u ktheva menjëherë në studio. Ishte një veprim i ngutshëm dhe ndodhi shumë shpejt. Po i shikoja disa fotografi që m’i pati dërguar gjyshja e tij, e cila po më thoshte se djalit po i mungonte prezenca ime. Arthur ishte vetëm trejavësh kur unë vendosa të kthehesha në studio për t’i incizuar këngët e reja. Kur e mendoj se sa i vogël ishte, nuk më besohet që e lashë foshnjën time për të shkuar në punë, por atëkohë kisha kaluar në modalitetin e mbijetesës. Unë mendoj se ne të gjithë vijmë në një pikë ku mendojmë se ka ardhur koha t’i kthehemi realitetit dhe normalitetit”, ka thënë Goulding, ylli i muzikës pop për gazetën “Daily Star”.
36-vjeçarja po ashtu tregoi për një bashkëpunim të ardhshëm me DJ e njohur skocez, Calvin Harris, që do të publikohet së shpejti.
“Jam shumë e sigurt se ai dëshiron ta lansojë këngën tonë të re sa më shpejt që është e mundur, dhe jam e lumtur për këtë. Është kënaqësi t’i kthehem punës me të në studio. Ne e kemi një raport të mirë me njëri-tjetrin, prandaj edhe e pamë të arsyeshme të bashkëpunojmë sërish në muzikë. Kënga e ardhshme është tipike e stilit tonë, por vjen edhe me disa ndryshime dhe nuk besoj se do të jetë diçka që publiku e ka pritur nga ne”.
Projekti i ri i dyshes vjen pas bashkëpunimeve të kaluara, “Need Your Love”, këngë kjo e lansuar në vitin 2013 dhe “Outside”, e cila erdhi për publikun një vit më vonë.