Email-e të publikuara së fundmi në dosjet e Jeffrey Epstein tregojnë se Lord Peter Mandelson i ka përcjellë atij informacione të brendshme të qeverisë britanike gjatë kohës kur shërbente si sekretar i biznesit në qeverinë e Gordon Brown dhe konsiderohej de-facto zëvendëskryeministër.
Në qershor të vitit 2009, këshilltari për politika i kryeministrit të atëhershëm, Nick Butler, i dërgoi një email Gordon Brown-it lidhur me gjendjen e vështirë të ekonomisë britanike.
Në email, Butler propozonte “lirimin e vlerës nga baza shumë e madhe e aseteve që zotëron qeveria”, duke sugjeruar hartimin e një plani për shitjen e aseteve shtetërore.
Ky email u ishte dërguar edhe disa zyrtarëve të tjerë, përfshirë Peter Mandelsonin.
Sipas email-eve të publikuara tani, Mandelson e ka përcjellë më pas këtë mesazh tek Jeffrey Epstein, duke shkruar: “Shënim interesant që i ka shkuar Kryeministrit.”
Në një përgjigje, Epstein ka pyetur: “Cilat asete të shitshme?”, ndërsa nga një adresë emaili e redaktuar është kthyer përgjigjja: “Tokë, prona, besoj.”
Po ashtu, një tjetër email i brendshëm qeveritar nga gushti i vitit 2009, ku Mandelson ishte i kopjuar, është përcjellë tek Epstein, megjithëse nuk është e qartë se kush e ka dërguar atë.
Në këtë email, ministrja e atëhershme e biznesit, Shriti Vadera, diskutonte masa për përmirësimin e tregjeve financiare pas krizës, përfshirë ofrimin e fondeve për kompani në vështirësi në këmbim të pjesëmarrjes në pronësi, raporton BBC.
Peter Mandelson është kontaktuar për koment lidhur me këto pretendime.
Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer ka deklaruar se Mandelson “nuk duhet të jetë anëtar i Dhomës së Lordëve” dhe ka kërkuar nga Sekretari i Kabinetit që të rishikojë “urgjentisht” të gjitha informacionet e disponueshme mbi kontaktet mes ish-ministrit dhe Jeffrey Epstein, ka bërë të ditur Downing Street.