Emini: Beogradi po zhvillon luftë hibride në zgjedhjet e Kosovës – punësime, shantazh dhe manipulim vote përmes Listës Serbe

Serbia po intensifikon ndërhyrjen në procesin zgjedhor të Kosovës përmes metodave të luftës hibride dhe mekanizmave proksi, duke përdorur Listën Serbe si vegël politike për kontrollimin dhe dirigjimin e votës së komunitetit serb.

Kështu vlerëson Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, i cili paralajmëron në emisionin Rreth e rrotull në RTV Dukagjini se veprimet e fundit të Beogradit përbëjnë shkelje të drejtpërdrejtë të sovranitetit dhe integritetit zgjedhor të Republikës së Kosovës.

Sipas hulumtuesit shkencor Ridvan Emini, Serbia nuk është hera e parë që në prag të zgjedhjeve shpall konkurse masive për punësime në institucionet e saj paralele në Kosovë.

“Së fundmi kemi një konkurs për 300 vende plus 50 të tjerë, ndërsa një konkurs i hapur më herët e çon shifrën në rreth 700 vende vetëm në sektorin e shëndetësisë.

Pra, bëhet fjalë për punonjës shëndetësorë në institucione serbe paralele që ekzistojnë në Kosovë në mënyrë ilegale”, ka deklaruar Emini.

Punësimet si mjet joshjeje dhe kontrolli elektoral

Emini thekson se këto punësime nuk janë masa sociale, por instrument politik për blerje dhe kontroll të votës.

“Kjo është një tentativë për joshje të votave në prag të zgjedhjeve. Janë 700 punësime, që i bie 700 familje serbe në Kosovë dhe një numër shumë i madh votash që Beogradi tenton t’i kontrollojë dhe t’i dirigjojë në drejtim të Listës Serbe, e cila realisht është një vegël e tyre në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas tij, qëllimi final është i qartë: kapja e të gjitha mandateve të rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.

“Kemi parë edhe deklarimet e presidentit serb Vuçiq gjatë përurimit të një ure mbi lumin Sava, ku ai haptazi ka bërë thirrje për votim të Listës Serbe, duke delegjitimuar opozitën serbe në Kosovë dhe duke i quajtur partitë e tjera si të nënshtruara ndaj Prishtinës. Kjo është ndërhyrje direkte në procesin zgjedhor në Kosovë”, ka theksuar ai.

Instituti “Octopus” vlerëson se kjo qasje përbën luftë hibride të mirëstrukturuar, që synon sabotimin e institucioneve të Kosovës nga brenda.

“Ne konsiderojmë se kjo është shkelje direkte e integritetit dhe sovranitetit të Kosovës dhe një tendencë për sabotim përmes Listës Serbe, ashtu siç ka ndodhur edhe në të kaluarën”, ka thënë Emini, duke shtuar se deklaratat pa veprime konkrete nga Bashkimi Evropian nuk janë më të mjaftueshme.

“I kemi bërë thirrje BE-së që të ndërmarrë hapa konkretë ndaj Serbisë, jo vetëm deklarime të thata”.

Lufta hibride: shërbimet sekrete, sabotimet dhe presioni politik

Në këtë kontekst, Emini ka folur edhe për rolin e shërbimeve serbe të sigurisë.

“Ne e dimë që BIA nuk ka zyra legale në Kosovë, por ajo funksionon përmes organizatave joqeveritare, mediave dhe individëve të caktuar. Popullata serbe në Kosovë merr skema sociale nga Beogradi, që është formë e influencës financiare, por edhe informative dhe pjesë e luftës permanente ndaj Kosovës”, ka deklaruar ai.

Ai ka përmendur rastet e sulmeve dhe sabotimeve si dëshmi të kësaj strategjie hibride.

“Rasti i sulmit në Ibër-Lepenc, ku një zyrtar i sigurimit ushtarak serb është në proces gjyqësor dhe ku ekspertiza e FBI-së ka konfirmuar prezencën e tij, si dhe sulmi terrorist në Banjskë, që lidhet direkt me Beogradin dhe Listën Serbe, tregojnë qartë qëllimin për destabilizim dhe tentim për aneksim të veriut”, ka theksuar Emini.

Sipas tij, ndonëse institucionet e Kosovës kanë përparuar në parandalimin e ndërhyrjeve, komuniteti serb vazhdon të keqpërdoret dhe të shantazhohet.

“Alternativat demokratike brenda komunitetit serb pamundësohen sistematikisht. Zyrtarë politikë ndalohen, maltretohen dhe shantazhohen gjatë kalimeve nëpër Serbi. Rasti i dy kandidatëve nga lista e Nenad Rashiqit, që u tërhoqën dhe kaluan në taborin tjetër politik, nuk ka ndodhur vetvetiu”, ka vlerësuar ai.

Emini paralajmëron se angazhimi i shtuar i Beogradit dhe Listës Serbe në këto zgjedhje lidhet me përpjekjen për rikthim në institucione për t’i minuar ato nga brenda.

“Distancimi nga institucionet e Prishtinës nuk u funksionoi. Tani synimi është sabotimi i procesit nga brenda, ashtu si në të kaluarën. Prandaj institucionet e Kosovës duhet të jenë vigjilente dhe të reagojnë me hapa konkretë”, ka thënë ai.

Duke komentuar thirrjet për organizim të votimit nga Serbia dhe pretendimet se Lista Serbe duhet t’i marrë patjetër 10 mandatet e rezervuara, Emini ka qenë i prerë.

“Ky është synimi i Beogradit: të krijojë perceptimin se institucionet e Kosovës nuk funksionojnë pa Listën Serbe. Por kjo nuk qëndron. Çdo alternativë tjetër është alternativë demokratike, ndërsa Lista Serbe është një dorë e zgjatur e Beogradit në Kosovë”, ka theksuar ai.

Sipas Emini, rezultati do të varet nga liria e votës.

“Nëse arrijnë ta manipulojnë tërë masën e popullatës serbe, skenari i kaluar mund të përsëritet. Por në zgjedhjet e fundit nuk i kanë marrë 10 mandate dhe besojmë se këtë herë do të jenë edhe më pak”, ka përfunduar ai.

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika