Emiratet e Bashkuara do të paguajnë shpenzimet e turistëve të bllokuar në hotele në Abu Dhabi

Departamenti i Kulturës dhe Turizmit i Abu Dhabit, një entitet qeveritar i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), ka njoftuar se do të mbulojë kostot e qëndrimit për turistët e bllokuar në hotelet e kryeqytetit, për shkak të pamundësisë së udhëtimit.

Sipas një letre zyrtare të dërguar hoteleve, autoriteti ka kërkuar që t’u zgjatet qëndrimi mysafirëve që kanë arritur datën e check-out-it, por nuk mund të largohen nga vendi për arsye jashtë kontrollit të tyre.

Vendimi është konfirmuar edhe nga Ambasada e Kosovës në Emiratet e Bashkuara përmes një njoftimi në Facebook. Sipas ambasadës, shpenzimet do të mbulohen nga data kur udhëtimi është bërë i pamundur, deri në momentin kur largohet pengesa dhe bëhet i mundur kthimi.

Në njoftim u bëhet thirrje qytetarëve që ndodhen në Emirate të komunikojnë me menaxhmentin e hotelit ku janë të akomoduar dhe, për çdo paqartësi shtesë, të kontaktojnë Ambasadën.

Emiratet e Bashkuara Arabe mbylli pjesërisht hapësirën ajrore të shtunën, çka çoi në anulimin e shumicës së fluturimeve komerciale hyrëse dhe dalëse, duke lënë shumë udhëtarë të bllokuar në vend.

Të fundit nga rubrika