Enigma për presidentin, partitë ia lënë “zgjidhjet” njëra-tjetrës

Ndonëse afati për zgjedhjen e presidentit është drejtë skadimit, partitë parlamentare vazhdojnë që përgjegjësinë t’ia hedhin njëra-tjetrës. Derisa nga AAK kritikojnë LDK-në për për takime me Kurtin pa një koordinim opozitar, PDK vazhdon të presë një ftesë konkrete nga Lëvizja Vetëvendosje për një takim. Ndërkohë, që të gjitha njëra tjetrës ia kërkojnë nga një propozim konkret.

“Së pari, nëse Lumiri dëshiron me mardh rolin e zmadhuesit të Albinit le ta merr… Unë s’mundem me shku me taku Lumirin me fol për çka ka fol ai me Albinin. S’është ka më intereson. S’është pjesë e imja. Le t’i grah ai tjetërkah”.

Kritika e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, drejtuar opozitarëve tjerë që u takuan me Kurtin, sipas LDK-së është qasje destruktive.

‘Fatkeqësisht, në vend të një qasjeje që do të kontribuonte në frymën e bashkëpunimit, kemi parë interpretime që nuk i shërbejnë dialogut të domosdoshëm ndërpartiak”, ka thënë shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu.

Për shkak të kësaj situate, nga AAK tash e kontestojnë pjesëmarrjen në një takim ndëropozitar, për ta diskutuar çështjen e Presidentit.

“Kemi tregu që s’kemi pasë ftesë. Tash ndodhë, që as nuk ju shkojmë më në takim”, ka thënë deputeti i AAK-së, Bekë Berisha.

Ndërkohë, në Partinë Demokratike ende e presin një ftesë tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje, për ta diskutuar çështjen e Presidentit.

“Komunikimet duhet të jenë zyrtare. E jo thirrje telefonike apo SMS. Kurdo që ta kemi ftesën, do ta shqyrtojmë”, ka thënë deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

Por, nga Lëvizja Vetëvendosje, vlerësojnë që ftesa e dërguar te PDK, ishte mjaftë serioze, andaj, tash vetëm presin propozime.

“Përderisa ata kanë kërkuar mbështetjen tonë, është mirë që të mos kërkohet blanko, por të dalin me propozime konkrete”, ka thënë Arbërie Nagavci, shefe e GP të Vetëvendosjes.

Ndërkohë që partitë presin propozime e lëvizje nga njëra-tjetra, kanë mbetur edhe 21 ditë afat për zgjedhjen e Presidentit.

Për këtë çështje, ndihmë premtoi sot edhe ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, por pa specifikuar se në çfarë forme do të mund ta bënte këtë.

Të fundit nga rubrika